I dyshuari kryesor për sulmet në Kristchurch të Zelandës së Re nuk e pranoi fajësinë në asnjë akuzë.
Brenton Tarrant – i vetëdeklaruar supremacist i bardhë – akuzohet për vrasjen e 51 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në dy xhami të Kristchurch, më 15 mars.
Mbi të rëndon edhe akuza për terrorizëm, e cila bart dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.
Duke u paraqitur në seancën e gjyqit, përmes video-lidhjes nga burgu, australiani 28-vjeçar qëndroi i heshtur, ndërsa avokati ia lexoi deklaratën.
Gjykatësi Cameron Mander tha se gjykimi është caktuar për 4 maj të vitit të ardhshëm dhe se Tarrant do të mbetet në paraburgim.
Sulmet në Kristchurch janë përshkruar si të shtënat më vdekjeprurëse masive në Zelandën e Re.