Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe
shqetësimin e gjithë anëtarësisë dhe të punonjësve të Policisë së Kosovës që i
përfaqëson lidhur me situatën e krijuar kohëve të fundit përkitazi me
prezantimin dhe linçimin përmes një numri të mediave të shkruara dhe atyre
elektronike ndaj një numri të zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës lidhur
me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policor në Gjakovë, si dhe
rasti i trajtimit të zyrtarëve policor të angazhuar në rastin e deportimit të 6
shtetasve turq më 29.03.2018 nga Kosova.
Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe
përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha
rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me
përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me
dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe
profesionalizëm.
Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë
edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto
raste. Në këto raste zyrtaret policor kanë zbatuar procedurat e parapara me
dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera
në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër. Është e pajustifikueshme që
gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen epror dhe
zyrtar policor të këtij stacioni. Theksojmë, pa tendencë për të ndikar në
rrjedhat e procedurës që janë duke u zhvilluar në organet kompetente të
drejtësisë, këta zyrtar duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa
procedurat në organe kompetente të vazhdojnë.
Kohëve të fundit jo vetëm në këto raste por edhe në shumë raste të tjera
Policia e Kosovës është duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen te qytetaret e
vendit tonë dhe kjo na gëzon, andaj këtë mbështetje kërkojmë ta kenë nga të
gjitha institucionet e vendit, e veçmas nga institucionet për siguri në vendin
tonë, duke krijuar kushte sa më të mira të punës, analog sikur i kanë të gjitha
policitë e tjera në shtetet demokratike.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbështet të gjitha veprimet e Policisë së
Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet
dhe profesionalizëm. Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre
pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet
sindikale që ka në dispozicion për tu dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga
institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë
ndaj këtij shërbimi.