Analisti politik, Ramush Tahiri po e konsideron si gabim të madh insistimin e vazhdueshëm të politikanëve kosovarë për njohjen nga Serbia, raporton EkonomiaOnline.
Madje ai thotë se Kosova nuk varet nga njohja e Serbisë dhe për këtë thotë se argument është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Kjo është e meta jonë dhe këto janë gabimet tona. Kjo tregon se jemi të papërgatitur si politikanë dhe fatkeqësisht asnjë libër i joni nuk citohet nga ndërkombëtaret dhe askush nga ne nuk është i pranuar ndërkombëtarisht nëpër tribuna ndërkombëtare, nëpër kongrese që flasin për çështjet e Kosovës. Atë që po e bëjë argumentin themelor duke marrë për bazë mendimin e Vuçiqit se konflikti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve zgjat që dy mijë vjet. Shqiptarët janë masakruar sepse nuk kanë pas mundësi të përballen Serbisë. Dhe tash nuk ka asnjë arsye që të varemi prej njohjes së Serbisë. Ne e njohim kufirin dhe dialogu që është imponuar pas vendimit Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, nënkupton për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Dhe me këtë ne duhet të shfaqim para të tjerëve se njohja është raport normal dhe nuk duhet të diskutohet”, ka thënë ai.
Tahiri thotë se taksa ndaj Serbisë nuk është vendosur për qëllime ekonomike, por politike, pasi që sipas tij, Kosova është përballur me agresivitetin e Serbisë që një kohë të gjatë.
“Taksa normalisht që ka qenë e padrejtë dhe është masë e imponuar. Mirëpo në jemi përballë me politikën agresive të Serbisë sepse nuk kemi pasur masë tjetër dhe kemi thënë se kjo masë ka qenë politike dhe jo ekonomike sepse Kosova si anëtare e CEFTA-s, nuk e pengon bashkëpunimin ekonomik dhe pikërisht Kosova është e interesuar për kufijtë të hapur. Themelore është që Kosova të pranohet si shtet nga Serbia dhe mandej si dy shtete mund të bisedojnë për secilën temë që bisedojnë shtetet e ndryshme. Mundet që presidenti Vuçiq ta hapë ‘Kutinë e Pandorës’ sepse momentin që dëshiron të marrë serbët e veriut ose të jap shqiptarët e Luginës, ajo është një ndërrim shumë i vogël në përmasa mes tyre”, ka thënë Tahiri.
E për agresivitetin e Serbisë karshi Kosovës, Tahiri po e fajëson edhe Bashkimin Evropian.
“E keqja është se BE po e toleron Serbinë dhe kjo e fundit po thotë se asnjëherë nuk do ta pranojë Pavarësinë. Cila është atëherë alternativa. Nuk e pyet askush dhe Serbia nuk pranon asnjëherë që shqiptarët të fitojnë çdo gjë dhe me këtë nënkupton që Kosova të jetë e pavarur. Së fundi presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka dalë me një mendim ku thotë se duhet të jetë një përkufizim ose një ndarje serbo-shqiptare dhe me këtë ai interesin e ka ne Mal të Zi dhe Bosnje dhe interesi i tij ta thyejë parimin e drejtave qytetare, pra ta këput Ballkanin në vija etnike, të përgjakshme”, ka thënë.
Analisti Tahiri thotë se pavarësisht zhvillimeve politike, brenda dhe jashtë Kosovës, ShBA-ja do të vazhdojë të mbështetë pa rezervë Kosovën dhe stabilitetin në rajon, raporton EO.
Ndërsa nuk mohon edhe përpjekjet e Rusisë për të dominuar në Ballkan.
“Kjo është politika e fuqive të mëdha ndaj rajonit dhe gjeopolitika e njohur. Shqipëria dhe Kosova si shtet synojnë integrimet euroatlantike dhe gjithmonë e synojnë që Pavarësinë ta bëjnë si pjesë e Evropës. Politikat e Evropës nuk kanë qenë të mira Kosova është pa liberalizim dhe pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe gjithashtu, pesë vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Fatmirësisht, Kosova ka mbështetjen gjithherë të ShBA-së dhe në këtë bazë, Pavarësia, integriteti dhe sovraniteti janë të garantuar dhe Kosova duke shprehur vullnetin e saj për të qenë shtet sovran dhe i pavarur edhe në miqësinë e ShBA-ve dëshiron të jetë faktor stabiliteti dhe paqe. Ndërkaq Rusia si superfuqi dëshiron ta ketë ndikimin në Ballkan tek popujt sllav dhe daljen në dete. E këtë të fundit nuk arrin ta bëjë nëse është shumë e fortë populli shqiptar dhe Shqipëria dhe është një pengesë e këtyre synimeve ruso-sllave”, thotë ai.