“Gazetarët në arrati” faktojnë krimet e Qeverisë së nobelistes së paqes

| 13 Qer 2020 | 10:09 | Nga

Në arrati për shkak të policisë së Birmanisë gazetari Aung Marm Oo refuzon të mbajë përbrenda dufin kundër Qeverisë së prirë prej laureates së “Nobelit” për paqe, Aung San Suu Kyi, në kohën kur vendi i tij po përgatitej për zgjedhjet e sivjetme.

“Demokracia ka vdekur”, është shprehur kryeredaktori 37 vjeç i DMG (Grupit të Zhvillimit Mediatik) në një intervistë për Reutersin. Ai ka folur sekret, ku po fshihet prej autoriteteve birmane.

“S’ka demokraci pa media”

“Ata kanë bllokuar mediat, kanë kufizuar agjencitë mediatike, kanë ndaluar gazetarët. Mediat janë gjaku i demokracisë në vend. Pa media si mund të mbijetojë demokracia?”

Kur Suu Kyi ishte liruar nga arresti shtëpiak nga junta ushtarake më 2011, Aung Marm Oo ishte student aktivist që po jetonte në ekzil. Lirimi i saj ia mbushi mendjen atij të kthehej në vendlindje dhe t’i rrekej gazetarisë, shkruan Reuters, transmeton KOHA.

Zgjedhjet e vitit 2016 e sollën në pushtet partinë e Suu Kyit, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD), duke i dhënë fund gjysmëshekullit të sundimit ushtarak në vend. Por gjeneralët vazhduan të ruanin frenat e pushtetit, duke mbajtur dorën e fortë në pushtet. Dhe 25 për qind të deputetëve emërohen nga ushtria.

Ministria e Brendshme është nën kontroll të Tatmadavit, emrit zyrtar të forcave të armatosura të vendit, dhe liria e shoqërisë civile dhe e mediave vazhdon të mbetet e kufizuar në një vend të zhytur në konflikte etnike.

Të ngjashme