Banorët e Krushës së Madhe dhe të Vogël kanë protestuar para Pallatit të Drejtësisë në shenjë revolte me uljen e dënimit ndaj, Darko Tasiq, raporton Ekonomia Online.
Selami Hoti, kryetar i fshatit Krushë e Madhe, tha Tasiq është përgjegjës për të gjitha krimet për të cilat ka qenë i akuzuar.
“Ne do të futemi brenda dhe do të bisedojmë me kryetari. Shpresoj që edhe ai të na tregojë më tepër”.
Shpresa Shehu përfaqësuese e fshatit Krushë e Vogël, tha se janë edhe 68 persona për të cilët ende nuk dihet fati i tyre.
“Ne kemi ardhur për të kërkuar drejtësi dhe askush nuk del për të folur këtu. Kjo është padrejtësi”.
“Na qe 21 vite presim. Edhe këtij t’i zbutet dënimi është shumë e padrejtë. Ne do të presim dhe synimi jonë është që dalin këtu dhe tu thonë disa fjalë familjarëve. Shihen edhe krimet e kriminelëve që kanë bërë”.
Igballe Zelfiu, po e konsideron padrejtësi uljen e dënimit ndaj Tasiqit, raporton EO.
“Unë jam ardhur në mënyrë paqësore. Kam babën dhe dy vëllezër të zhdukur. 11 vjet ja kanë heq dënim i cili ka pasur 20. Ne kemi bërë kërkesë, por nuk i kanë marrë parasysh”.
“Gjithë këto nëna e gra e këtij mi iu heq dënimi është e padrejtë. Ne nuk do të ndalemi deri në fund”.
Sefullah Sefullahu, tha se gjykata po tallen me fatin e atyre që u vranë në luftë.
“Gjykata vendore me bo këtë tallje. Ata na shohin këtu edhe vazhdojnë shkojnë hajn dreka. Vazhdojnë me bo krimin e radhës. Pallati i maskarallëkut është ky”.
Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i dënuar për krime lufte, nga 22 vjet në 11.
Në një deklaratë për media, Gjykata e Apelit thotë se e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.
“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj”.
“I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”.
Më 22 qershor të këtij viti, Tasiq është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës në Prizren Tasiq ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në Lumin Drin.
Tasiq ishte shpallur fajtor edhe për akuzën që thotë se në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, Tasiq ka marrë pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.
Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.

