Partia Demokratike e Kosovës pas pak ditësh do ta zgjedh kryetarin e ri. Në garën për të parin e partisë nuk do të jetë Sami Lushtaku, zyrtari i PDK-së do të kandidojë për kryetar të Skënderajt në zgjedhjet lokale të këtij viti.
Lushtaku ka thënë se as që i ka shkruar ndërmend që t’i futet garës për ta marrë drejtimin e partisë.
“Jo, në asnjë mënyrë. Unë jam kandidat për kryetar komune në Skenderaj dhe as që ma ka shkuar mendja ndonjëherë”, ka thënë Lushtaku.
Si ka thënë se këtë detyrë nuk do ta pranonte as nëse nga brenda partisë do t’i kërkonin që ai ta bënte këtë.
“Absolut, jo. Absolut jo. As nuk kam interes, as nuk e kam mendjen”, është shprehur Lushtaku për FrontOnline.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që kandidatë për kryetare të kësaj partie të jetë ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Gara është e hapur, edhe ata që dëshirojnë dhe kanë ambicie politike, mund të kandidojnë , kështu që kush do bujrëm. Nuk përjashtohet, varet prej vullnetit të saj, nëse ajo dëshiron me qenë, pse jo”, ka deklaruar Lushtaku
Ai e ka mirëpritur vendimin e PDK-së për ta mbajtur një konventë zgjedhore për kryetar të PDK-së..
Gjatë ditës së djeshme, PDK-ja përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se kryesia ka udhëzuar organet e partisë për fillimin e menjëhershëm të përgatitjeve për organizimin e konventës zgjedhore të partisë, e cila është caktuar të mbahet më 3 korrik.