A do të ketë masa të reja pas rritjes së rasteve me COVID-19, flasin nga MSH-ja

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Pas një kohe të gjatë, rastet e reja të infektimit me COVID-19 në Kosovë kanë filluar të rriten. Vetëm nga 1 janari i këtij viti e deri më sot janë shënuar 1 mijë e 784 raste të reja me COVID-19. Në ngritjen e rasteve duket se ka ndikuar edhe shfaqja e “Omicornit, variantit të ri të këtij virusi. Ekspertët e fushës kanë paralajmëruar edhe mundësinë e një vale të re, megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se aktualisht nuk janë duke shqyrtuar mundësinë e shtrëngimit të masave kundër përhapjes së COVID-19, derisa theksojnë se janë duke e vëzhguar situatën.

Edhe përkundër rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë nuk po planifikon ashpërsimin e masave Anti-COVID.Nga Ministria e Shëndetësisë kanë treguar për Express se aktualisht do të mbesin në fuqi masat e ndërmarra mëherët.

Zëdhënës për informim në MSH kanë thënë se ata bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Komisionin Këshillëdhënës për pandeminë COVID-19, po e përcjellin situatën epidemiologjike dhe se në bazë të rekomandimeve që do të marrin, do të mund të propozohen edhe masat e reja.

“Aktualisht mbesin ne fuqi masat e ndërmarra më herët. A do të ndryshojnë ato apo jo varet nga zbatimi i masave që janë në fuqi dhe nga vaksinimi kundër COVID-19. MSh, përmes IKSHPK-së dhe Komisionit Këshillëdhënës për pandeminë COVID-19, po përcjell situatën epidemiologjike dhe në varësi se çfarë rekomandime jepen për Ministrinë nga trupat profesionale, bazuar gjithmonë ne ecurinë e situatës epidemiologjike, do te mund te propozohen masa te reja. Por, ende mbesim me masat e ndërmarra me herët”, kanë thënë nga kjo ministri.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për gazetën se janë në pritje të një takimi me nivelin qendror dhe kryetarët e komunave për të diskutuar në lidhje me situatën me pandeminë COVID-19.

Ai ka thënë se ata gjithmonë kanë përkrahur masat të cilat janë në raport me situatën në të cilën është vendi, por që sipas tij, nuk duhet të anashkalohet as gjendja ekonomike.

“Jemi në pritje të takimit me nivelin qendror dhe kryetarët për të diskutuar rreth situatës me COVID-19. Kryetarët gjithnjë kanë përkrahur masat që janë në raport me situatën. Si prioritet për kryetarët është jeta e qytetarit duke mos anashkaluar edhe shëndetin ekonomik”, ka deklaruar ai.

Tutje Ibrahimi ka thënë se kërkesë e Asociacionit është që të kthehen në Komitetin Anti-COVID, pasi që sipas tij, kryetarët po mbesin të pa informuar.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se për të menaxhuar gjendjen me pandeminë, qytetarët duhet të respektojnë masat Anti-COVID dhe të vazhdojnë të vaksinohen.

Ai e ka konsideruar si shumë të nevojshme marrjen e dozës përforcuese të vaksinës Anti-COVID për t’u mbrojtur nga varianti Omicron.

Njëjtë, apel për marrjen e dozës përforcuese kanë bërë edhe infektolog tjerë në vend.

Ata kanë paralajmëruar rritje të numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të ardhshme, andaj kanë kërkuar respektim të masave Anti-COVID dhe vaksinim me dozën përforcuese.

Me rritjen e rasteve të reja me COVID-19, numri i rasteve aktive me këtë virus ka shkuar në 2 mijë e 83.

Ndërsa, kujtojmë që me rritjen e numrit të personave të infektuar me COVID-19 ka filluar të rritet edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.

Derisa më 1 janar të këtij viti në klinikat COVID të QKUK’së dhe spitalet rajonale kanë qenë të shtrirë 29 pacientë, 4 prej të cilëve pozitiv me koronavirus, sot janë të hospitalizuar 42 pacientë, 19 prej të cilëve pozitiv me COVID-19 dhe 23 post-COVID.

Të ngjashme