Përveç nga institucionet e vendit, mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, po kundërshtohet edhe nga opozita. Këtë herë, tri partitë opozitare i kanë dal në krah Kurtit. Por, a do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme?
Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
Sipas tyre, kjo seancë është e panevojshme, anipse mbajtja e këtij referendumi në Kosovë përben shkelje të sovranitetit dhe rendit kushtetues.
“PDK e sheh krejt të pa nevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot për të vendosur a do të jenë pjesë e kësaj seance. Kështu tha mbrëmë për Gazetën Express, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e nesërme.
Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka për Gazetën Express tha se do të marrin pjesë nesër në seancë ku do të diskutohet për referendumin serb në territorin e Kosovës.
BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.
Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.