A do të procedohet për ratifikim, nëse Kosova dhe Serbia merren vesh për planin franko-gjerman

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia janë afër që të nënshkruajnë marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se propozimi evropian është i pranueshëm dhe se ka shprehur gatishmëri që ta nënshkruaj këtë marrëveshje.

Por, a duhet që kjo marrëveshje të procedohet në Kuvend për ratifikim?

Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se kjo marrëveshje duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

“Neni 7 i marrëveshjes parasheh dispozita të cilat eventualisht mund të prekin fusha të cilat tejkalojnë kompetencat dhe autorizimet që i ofron Kushtetuta dhe ligji. Në këtë drejtim do të duhej që marrëveshja të dërgohej në Kuvendin e Kosovës për ratifikim”, ka thënë Miftaraj për IndeksOnline.

Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo marrëveshje as nuk do të sjellë njohje dhe as nuk është përfundimtare, teksa votuesve të tij iu zotua se edhe nëse kjo sillet në Kuvend nuk do të votohet nga ana e tyre dhe se nuk do ta pranojnë një marrëveshje të tillë.

Kujtojmë se më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetimin e BE-së.

Të ngjashme