A e shkeli presidentja Osmani kushtetutën, Kica-Xhelili thotë se e takoi dhe e informoi me shkrim për dorëheqjen nga Guxo

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Doarsa Kica-Xhelili qe mbrëmë e ftuar në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ku foli ekskluzivisht për vendimin e saj për t’u larguar nga Lista Guxo.

Gjatë rrëfimit të saj, ajo përmendi disa herë, se ka pasur dy-tre takime me presidenten Vjosa Osmani, së cilës siç zbuloi ajo, përveç komunikimit fizik, i ka konfirmuar kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe përmes një shkrese, përcjell klankosova.tv.

Derisa komentonin një fotografi nga një takim të së dieles, siç e quajti miqësor, me presidenten Vjosa Osmani dhe tashmë kryetarin e Guxo, Faton Pecin, ajo u pyet nga Adriatik Kelmendi, nëse e ka informuar të paren e shtetit lidhur me këtë vendim të saj.

‘’Po. Nuk më kujtohet kur jam takuar me të por e di se kam pasur dy apo tre takime me të [Vjosa Osmani], lidhur me këtë çështje. Një herë ka qenë takimi ku i kam treguar që kam dhënë dorëheqje nga Guxo, e pastaj ka qenë një takim i radhës, ku iu kam thënë se jam duke e menduar daljen plotësisht nga Grupi Parlamentar dhe bashkëngjitjen në LDK, dhe më pas ia kam konfirmuar që përfundimisht kam vendosur të dalë në LDK dhe kjo e gjitha pa qenë aspak në domenin publik. Dhe jo vetëm presidentes, por edhe kryeministrit. Edhe me kryeministrin [Albin] Kurti jam takuar edhe para edhe pas vendimit’’.

Se cili ka qenë shkaku pse Doarsa Kica-Xhelili e ka informuar për çdo detaj rreth këtij vendimi të saj, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ende nuk është e qartë.

Megjithatë, lidhur me këtë përfshirje në këto raste të takimeve si Kica-Xhelili dhe Osmani-Sadriu, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 88 i specifikuar si [Papajtueshmëria] përcakton qartë se 1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik dhe 2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Se a e ka shkelur presidentja Vjosa Osmani në këtë rast Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbetet ende një dilemë.

Megjithatë, ato duket të mos jenë takimet e vetme ku presidentja Osmani shihet me zyrtarë partiakë.

Kujtojmë që e para e shtetit, edhe të mërkurën, kur pritej të mbahej kuvendi i parë zgjedhor i Guxo, u pa të ketë zhvilluar takim me ministren Donika Gërvalla-Schwarz si dhe ministrin Faton Peci, të dy tashmë të zgjedhur si kryetarë të listës që ajo përfaqësonte.

Të ngjashme