Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti po pretendon se u kërcënua nga një organizatë e quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”. Ai dje me anë të një postimi në Facebook publikoi një komunikatë që pretendohet se është lëshuar nga kjo organizatë, dhe e cila sipas Kurtit përbën kërcënim për të dhe Gjykatën Kushtetuese. Lajmi.net ka gjetur se logoja e cila është prezantuar në komunikatën e publikuar nga kryeministri, është e vjedhur nga një organizatë krejtësisht legjitime, e quajtur “Federata e Shqiptarëve të Italisë”.
“Garda Vullnetare Shqiptare”, është emri i organizatës e cila që nga mbrëmë është duke u përfolur me të madhe në media. Kjo organizatë, siç po pretendon kryeministri Kurti, ka lëshuar një komunikatë kërcënuese për të dhe për Kushtetuesen, si një lloj presioni për vendimin për dekretin e presidentit, shkruan lajmi.net.
E ndonëse askush nuk di asgjë për këtë organizatë, lajmi.net ka gjetur se logoja e cila pretendohet të jetë e “Gardës Vullnetare Shqiptare”, i përket organizatës së “Federatës së Shqiptarëve të Italisë”.
Dy duar të bashkuara, në ngjyrat kuq e zi, është logo e cila është prezantuar qysh më 26 prill të vitit 2015. Ajo u krijua në qytetin Fermo të rajonit Morche në Itali. Kjo logo është ideuar nga drejtuesja e shoqatës “Acuqasport Terme” në Padova, Erida Çela Perlala, dhe është realizuar nga dizenjatorja grafike Michela Santelli. E njëjta nuk ka të bëj asgjë me “Gardën Vullnetare Shqiptare”, por që dy duart aty sipas kuptimit i përkasin një shqiptareje dhe një italianeje.
Nisur nga kjo, vërehet se logoja e organizatës që po pretendohet se ka kërcënuar kryeministrin është e vjedhur, dhe se organizata reale e cila ka autorësinë e saj, nuk ka të bëj me zhvillimet politike në Kosovë.
Lidhur me vërtetësinë e kërcënimit të deklaruar nga kryeministri Kurti, ka pasur reagime të ndryshme nga partitë në vend.
Ndërkaq, pas lajmërimit të rastit, ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila ka sqaruar se bashkë me Prokurorinë Speciale janë duke e hetuar pretendimin e kryeministrit.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është duke e trajtuar si rast, dhe është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.