Tema ndoshta ka ndikuar. Edhe pse Berisha, që pas punimeve të Kuvendit Kombëtar, kur foli para gazetarëve i apeloi një kategorie specifike të marshimeve nacionaliste Tifozave kuq e zi. Ish-kryeministri u bëri një kompliment atyre, jo me sytë nga protesta e 20 dhjetorit, sepse ndoshta ajo ende nuk ishte ngjizur në mendjen e tij, por të paktën me synim apelimin ndaj një trupe që shpesh ka shfaqur nota politike, edhe pse betejat i ka patur kryesisht në shkallët e stadiumeve.
Gjithsesi patriotizmi apo nacionalizmi, quaje si të duash, është një gjellë e ftohtë, hiq rastin kur mund të bëhet jo nga sheshet e Shqipërisë, por nga muret e Facebook. Në rrjetet sociale nacionalistët janë një komuniteti i pashoq. Ata i shtrijnë kufijtë e Shqipërisë nga Peleponezi në gji të Artës, nga Shkupi në Danub. Ata gjejnë origjinë shqiptare nga George Washington-i te Napoleon Bonaparti e deri te Robert de Niro. Rrënjët e shqipes i nxjerrin edhe te emri i Shekspirit, Uilliam (yll-jam) e deri te Belgjika (beli i Gjikës).
Mosreagimi në numra të mëdhenj ndaj thirrjes së Berishës, lidhet edhe me atë se nacionalizmi i divanit e ka zëvendësuar patriotizmin e njëmendtë. Gjithaq edhe me temën e ‘Ballkanit të hapur’, e cila ose nuk kuptohet, ose kur kuptohet shihet si diçka që nuk prish punë, sa kohë është një lojë me porta të vogla dhe asnjë top nuk mund të qarkullojë pa lejen europiane dhe amerikane.
Protesta, në anë tjetër nuk ishte e dështuar për faktin se u kujtoi njerëve se tubimi, organizimi dhe zemërimi janë instrumente që nuk janë harruar në arsenalin e armëve opozitare. Njerëzit i kanë tradhtuar protestat, siç ndodhi deri diku edhe me të sotmen, sepse protestat i kanë tradhtuar njerëzit. Siç kanë dëshmuar disa javë dhe muaj të gjatë protestash të cilat janë mbyllur ‘në tavolinë’ nga lidershipi opozitar i drejtuar nga Lulzim Basha.
Protestat e së nesërmes do të bymehen, sidomss nëse Berisha ndërmerr një Foltore 2 nëpër qytetet jashtë kryeqytetit, duke projektuar prej tyre një tubim të madh në Tiranë. Në këtë fazë të dytë, Berisha duhet të dëshmojë se shumica është e penguar dhe opozita është e instrumentalizuar. Kur protestat të jenë me temë qeverisjen, Ramën, korrupsionin, por edhe aneksimin e PD-së së selisë, do të ndryshojë si regjistri ashtu edhe pjesëmarrja.