A është ende Turqia vërtetë një aleate e NATO-s?

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i presidentit amerikan Joe Biden, për të përjashtuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, nga Samiti për Demokracinë që u mbajt virtualisht gjatë muajit të kaluar, pasqyroi përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe rënien e demokracisë në Turqi.

Samiti, që sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë u fokusua në “përpjekjet tona të përbashkëta për të përcaktuar një axhendë për ripërtëritjen e demokracisë në botë dhe për të adresuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen sot ato”, përfshiu edhe fqinjët e Turqisë, Armeninë, Bullgarinë, Qipron dhe Greqinë.

Por një sërë provokimesh politike nga ana e Turqisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, kanë qenë një shqetësim serioz për administratat Trump dhe Biden.

Përplasja më e fundit ndodhi gjatë takimit të 28 nëntorit të vitit 2021 midis Erdogan dhe presidentit iranian të vijës së ashpër Ibrahim Raisi.

Erdogan i akuzoi Shtetet e Bashkuara për trajnimin dhe armatosjen e “të gjitha grupeve terroriste në rajon, përfshirë ISIS dhe PKK, dhe duke u ofruar atyre pajisje dhe mjete terroriste për të krijuar pasiguri”.

Për këtë arsye presidenti turk thotë se është i nevojshëm bashkëpunimi i përbashkët për të sjellë paqen në rajon. Po ashtu Erdogan nënvizoi dëshirën e tij për të punuar më ngushtësisht me Rusinë dhe Iranin, dy nga kundërshtarët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara.

“Irani, Rusia dhe Turqia mund të garantojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon në bashkëpunim me vendet e tjera”- tha ai. Afrimi i fundit i Turqisë me regjimin iranian, ndodhi prillin e vitit të kaluar, kur u nënshkruan 6 memorandume bashkëpunimi për të rritur tregtinë e ndërsjelltë nga 6.8 miliardë dollarë në 30 miliardë dollarë në vit.

“Kapaciteti bashkëpunues midis Turqisë dhe Iranit po shfrytëzohet maksimalisht tani. Ne kemi mbajtur marrëdhënie të ngushta vitet e fundit, ndërsa në plan janë shumë projekte që do të realizohen- deklaroi në nëntor 2021 zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh.

Ajo nuk ishte e hera e parë që Erdogan i akuzonte Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e terrorizmit. Deklarata e presidentit turk erdhi pasi terroristët e PKK-së ekzekutuan 13 shtetas turq, kryesisht ushtarë, të cilët ishin mbajtur peng që nga muaji shkurt. “Ju thatë se nuk i përkrahni terroristët, kur në fakt jeni në anën e tyre dhe qëndroni pas tyre”- deklaroi Erdogan.

Departamenti Amerikan i Shtetit i dënoi vrasjet “në termat më të ashpër të mundshëm”, duke deklaruar se “terroristët e PKK-së do të mbajnë përgjegjësi për to”. Që në vitin 1997 SHBA e ka cilësuar një grupim terrorist Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Por Erdogan është shumë kritik ndaj mbështetjes së Amerikës ndaj Njësive të Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG), të cilat luftuan kundër ISIS-it në Siri. YPG ndihmoi ndjeshëm në frenimin e zgjerimit të shpejtë të ISIS-it atje. Turqia e thirri ambasadorin e SHBA-së në Ankara 2 muaj më vonë, kur Joe Biden njohu zyrtarisht gjenocidin armen të kryer nga Perandoria Osmane në vitin 1915.

“Ne nuk do të marrim leksione nga askush për historinë tonë”- deklaroi në atë kohë Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu. Turqia përballet me një mori krizash të brendshme dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare të cilat i japin mundësi qeverisë ta zhvendosë vëmendjen e brendshme tek çështje të tjera.

“Si gjithmonë, Erdogan synon ta kthejë vëmendjen tek armiqtë e jashtëm, në përpjekje për të shkëputur në veçanti vëmendjen e mbështetësve të tij, por edhe të popullsisë në përgjithësi, nga rrënimi i monedhës kombëtare, lira, dhe efektet e inflacionit në ekonominë vendase. Kjo krizë po shkakton jo pak përçarje të brendshme”- thotë Irina Tsukerman, avokate e të drejtave të njeriut me bazë në Nju Jork dhe analiste e sigurisë kombëtare.

“Pavarësisht nga marrëdhëniet e ngushta me PKK-në, YPG-ja në Siri nuk ka qenë objekt i sanksioneve dhe as nuk është listuar si një organizatë terroriste nga SHBA. Madje ajo konsiderohet si një aleate thelbësorë në operacionet kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste në Siri. Erdogan po përhap në Turqi fanatizmin anti-kurd”- shton Tsukerman.

Në dhjetor, lira turke ra në nivelin më të ulët historik përkundrejt dollarit amerikan, pasi Erdogan vendosi të ulë normat e interesit për të ndjekur më nga afër rregullat bankare islame. Lira u forcua pas një ndërhyrje të gjerë të bankës qendrore për të ndaluar rënien e saj të lirë, përpara se arritjet e përkohshme të fillonin të zhbëheshin një javë më vonë.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Turqisë, arritën në pikën më të ulët kur Erdogan njoftoi dëbimin e 10 ambasadorëve, për shkak të kërkesës për lirimin e aktivistit pro-demokracisë Osman Kavala. Shtatë nga këta ambasadorë përfaqësonin vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Erdogan u tërhoq nga vendimin e tij disa ditë më vonë, pas një reagimi të ashpër diplomatik ndërkombëtar. Por pavarësisht përkeqësimit të marrëdhënieve, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi në muajin gusht një raport ku theksoi ndër të tjera rëndësinë e sigurisë dhe lidhjeve ekonomike turko-amerikane, si dhe vlerën e Turqisë si “një aleate kyçe e NATO-s dhe një partnere rajonale jetike… Është në interesin tonë ta mbajmë Turqinë pjesë të komunitetit euroatlantik”.

E megjithatë, Erdogan ka qenë haptazi sfidues ndaj kërkesës së SHBA-së, që ai të mos blejë armë nga Rusia, veprim që mund të përbëjë një kërcënim për vendet e NATO-s.Turqia bleu në vitin 20172.5 miliardë dollarë raketa mbrojtëse S-400 nga Rusia, pavarësisht kundërshtimeve të Amerikës dhe NATO-s, se ato mund të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s, sidomos operacionet e avionëve luftarakë F-35.

Ndërkohë, Erdogan ka ndërmarrë veprime provokuese ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s. Ai po përpiqet të ushtrojë presion ndaj Greqisë, për të siguruar të drejtat e kërkimit të gazit në Mesdheun Lindor. Kur Turqia dërgoi në gushtin e 2020-ës një anije eksplorimi në zonën e diskutueshme të ruajtur nga anije luftarake, Franca dërgoi anijet e saj luftarake për të mbështetur Greqinë.

Të qenit anëtar i NATO-s dhe synimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nuk e ka penguar Erdoganin që të flirtojë me armiqtë e betuar të aleancës, përfshirë Iranin dhe Rusinë. Me afrimin e madh me regjimet që mbështesin terroristët, ngacmojnë anëtarët e NATO-s dhe akuzojnë Perëndimin, përkatësisht Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e terrorizmit, po bëhet edhe më e vështirë të besohet se Turqia e Erdoganit mbetet një aleate e NATO-s. /Hany Ghoraba “Algemeiner”/abcnews.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme