Kanë kaluar 13 ditë që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor. Përderisa partitë që synojnë formimin e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje rreth qeverisë, konstituimi i kuvendit, sipas njohësve të çështjeve juridike, ka mundur apo mund të procedohet në çdo moment.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, është hapur rruga për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kuvendi i Kosovës mund të konstituohet edhe pa arritjen e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë, transmeton REL.
“Nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që fillohet me procesin e konstituimit të Kuvendi të Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës ekziston afati 30 ditë brenda të cilës duhet të konstituohet kuvendi dhe kjo mbledhje do të quhet e kryer në momenti kur kuvendi do të mund të arrijë të zgjedhë kryetarin e kuvendit dhe kryesinë e kuvendit. Pas këtij momenti kushtetues fillon proceduara e zgjedhje së qeverisë”, tha Bajrami.
Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, deputetët mund ta thërrasin vet seancën konstituive.
Profesor Bajrami thekson se nuk ka po ashtu asnjë pengesë që koalicioni eventual qeverisë të arrihet edhe pas mbledhjes konstituive të Kuvendit. Sipas tij, mandatari i qeverisë, ka më pas afat prej 15 ditësh që para presidentit të vendit të prezantojë argumentet për të marrë mandatin për ta udhëhequr ekzekutivin.
“Presidenti duhet të caktojë seancën konstituive, në rast se ai nuk e bën ekziston mundësia e vet konstituimit të parlamentit, parlamenti me 1/3 e kërkesës së deputetëve mund ta thërrasë seancën dhe të konstituohet sipas rregullave që vlejnë”.
“Pra, konstituimi i kuvendi mund të ndodhë dhe kjo nuk është aspak pengesë për faktin se akoma nuk kemi një marrëveshje për koalicion. Kushtetuta e ka paraparë fazën deri kur mund të arrihet kjo marrëveshje (për koalicion qeverisës), pra 15 ditë pas konstituimit të kuvendit dhe pas caktimit të madatarit është kohë kur duhet të arrihet koalicioni dhe duhet të votohet qeveria”, tha Bajrami.
Për të njëjtën tematikë, profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka një mendim tjetër. Ai thotë se pa arritjen e një marrëveshjeje për koalicionin e ardhshme qeverisës, nuk mund të shkohet drejt thirrjes e seancës për konstituimin e kuvendit.
“Pa marrëveshje të këtij koalicioni dhe gatishmëri që të ketë 61 vende të siguruara për vota në Kuvend për ta bërë qeverinë dhe ta marrë mandatimin nga presidenti, nuk mund të formohen institucionet e vendit”.
”Pra, fillimisht duhet kuvendi, zgjedhja e kryetarit dhe strukturave të tjera, betimi i deputetëve dhe pastaj vjen radha qeverisë në bazë të nenit 95 të Kushtetutës, ku mandatari potencial brenda 15 ditëve do të duhej ta japë propozimit që ka 61 vende dhe një kabinet qeverisës. Do të thotë se duhet të paraprijë një marrëveshje për të pasur këtë numër të deputetëve”, tha Baraliu.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.
Ky institucion nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.
Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Subjekti fitues i zgjedhjeve, mund të formojë koalicion paszgjedhor në mënyrë që të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e qeverisë së re.
Analistë të çështjeve politike thonë se do të duhej që kuvendi dhe qeveria të formohen sa më shpejt, marrë parasysh faktin se Kosova funksionon me një qeveri në largim që nga muaji korrik.
Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovës kanë bërë thirrje që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet qeveria e re.
Bisedimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës, thuhet se po lënë nën hije negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përderisa të dy partitë në negociata thonë se do t’i vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes, analistët politikë në anën tjetër, theksojnë se krahas pozitës së presidentit, çështje kyçe për arritjen e marrëveshjes janë edhe dy ministri në të cilat, sipas tyre, po insistojnë t’i kenë nën drejtim të dy partitë në negociata. Fjala është për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.