Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i shqetësuar se Kosova mund të shkojë në kollaps për shkak të krizës energjetike në prag.
Në konferencën për media bashkë me kryetarët e komunave të kësaj partie, sipas Haradinajt, institucionet dhe qeveria nuk janë serioze dhe s’kanë një plan sesi t’i qasen këtij problemi para dimrit që po vjen.
“Jemi dëshmitarë që inflacioni në vend është mbi 14 për qind dhe t’iu them të drejtën s’po shohim veprime konkrete të qeverisë. Qeveria jonë, ka bllokuar ligjin e pagave dhe nuk po shihen veprime konkrete për ecjen para me këtë ligj. Të njëjtën kohë janë bllokuar edhe nisma të tjera si ajo për tërheqjen e një përqindjeje të mjeteve nga Trusti. Qeveria po i grumbullon paratë në arkën e shtetit, por s’po i nxjerr në qarkullim dhe nuk po i kthen në ekonomi që është shqetësim për Kosovën”.
Pos këtyre problemeve, Haradinaj tha se ka ndikim direkt edhe nëpër komuna.
“Qeveria ka kohë që s’po tregohet bashkëpunuese, por edhe ajo e përgjegjshme në raport me komuna. Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në ndarjen e buxhetit për komunat, ka probleme serioze e kontrata për kryerjen e punëve të ndryshme në komuna. AAK ka vendosur të krijojë forumin e kryetarëve të komunave si një mekanizëm të adresimit të problemeve dhe temave të qeverisjes në nivel komunal në raport me qeverinë qendrore”, tha Haradinaj.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, u shpreh se Aleanca është e kënaqur me punën e kryetarëve të komunave dhe kërkoi nga Qeveria një qasje më të lehtë për trajtimin e problemeve te qytetarëve.
“Aleanca është e lumtur me punën që kanë bërë kryetarët e komunave. Kemi çështje që i diskutojmë dhe mesazhi është që kërkojmë ta kemi një Qeveri që problemet e qytetarëve të përfundojnë në komunë”.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se një bashkëpunim miqësor me Qeverinë është i nevojshëm.
“Duhet ta kemi bashkëpunim miqësor me qeverinë. Dua ti paraqesë disa shqetësime dhe organi shqyrtues t’i fillojë sa më shpejt punimet. Për mua është shqetësuese edhe shtëpia e kulturës dhe kemi problem edhe te varrezat”, tha ai, raporton EO.