Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, do të votojnë projektligjin me të cilin zgjerohen kompetencat dhe mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se AAK edhe në debatin e iniciuar nga deputeti Daut Haradinaj ka kërkuar formimin e ushtrisë.
“Ne edhe më herët e kemi thënë se duhet të veprohet kështu dhe tani e shohim si vonesë procedimin e ligjit për zgjerimin e kompetencave. Deputeti Haradinaj javë më parë pati iniciuar një debat në Kuvend për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, mirëpo pasi nuk ekziston mundësia e ndryshimit të emrit, pasi Lista Serbe nuk e mbështetë ndryshimin e Kushtetutës, ne e mbështesim formimin e ushtrisë edhe përmes ndryshimit të ligjit”, ka deklaruar Lekaj për lajmi.net.
Më tej, ai ka thënë se AAK do të mbështet çdo veprim që është në të mirë të vendit, por ka theksuar nevojën që të analizohet ligji në mënyrë që përmes këtij ligji të zgjerohen kompetencat e FSK-së.
Deputeti i Nismës për Kosoëvn, Zafir Berisha ka thënë për lajmi.net se projektligji që presidenti i vendit ia dorëzoi kreut të Kuvendit ka qenë i përgatitur tash e një kohë.
“Ligji që sot iu dorëzua kryetarit të Kuvendit është i përgatitur goxha moti. Ne në debatin e para tri javëve në Kuvend kemi insistuar që të shkohet në variantin B, për të cilin tani edhe Hashim Thaçi është se është rruga e duhur, pasi Vuçiqi nuk i jep Listës Serbe për t’i votuar ndryshimet Kushtetuese”, ka deklaruar Berisha për lajmi.net.
Ai gjithashtu ka thënë se ky veprim tashmë është i vonuar.
“Ne si forcë politike jemi të interesuar për të bërë një hap përpara dhe ky hap është pak i vonuar, megjithatë siç thotë populli më mirë vonë, sesa kurrë. Ne do të japim kontributin tonë që me një procedurë të përshpejtuar të miratohet ligji, ky ndryshohet misioni i FSK-së, pasi emrin nuk mund t’ia ndryshojmë sepse Lista Serbe nuk i voton ndryshimet kushtetuese”, ka shtuar Berisha.