AAK e Nisma ia lënë Pacollit hapur derën e largimit nga koalicioni qeverisës

Prishtinë | 04 Shk 2018 | 14:53 | Nga

Ministri i jashtëm njëherësh presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ditë më parë në një emision televiziv “kërcënoi” kryeministrin Ramush Haradinaj me dalje nga koalicioni qeveritar.

Këto komente ai i kishte bërë derisa po fliste për mundësinë e zgjidhjes së demarkacionit dhe liberalizimin e vizave, që janë dy çështje që ndërlidhen mes vete.
“Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, kishte deklaruar Pacolli.

E kërcënimeve të partnerit qeverisës nuk po u frikësohen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate.

Madje shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ia ka lënë dyert e largimit hapur AKR-së.

Sherifi ka thënë për lajmi.net se secili partner “hynë kur donë, dhe del kur donë”.

“Hyrja në koalicion ka qenë vullnetare, edhe dalja eventuale e cilit do partner qeverises duhet te jete vullnetare. Kjo është demokracia. Secili hyne kur donë dhe del kur donë”, ka thënë Sherifi.

Për paralajmërimet e Behgjet Pacollit ka komentuar edhe nënkryetari i AAK-së, që po ashtu mban pozitëm e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai ka thënë se në qeveri partnerët nuk janë për tu shtyrë me deklarata, por siç thotë ai, për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.

“Pra jemi në qeveri jo për tu shtyrë me deklarata, por për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët tanë”, ka thënë Lekaj për lajmi.net

Lekaj ka theksuar se qeveria është në “vlugun e punëve”, duke përmendur këtu edhe krijimin e Ushtrisë.

“Ne jemi në vlugun e punëve si Ministri e infrastrukturës dhe nuk jemi në kohën me të mirë ti komentojmë deklaratat politike të askujt në qeveri. Ajo çka mund të thuhet është se të tërë jemi në angazhime që të përmbushim synimet që ia kemi dhënë vetës, e që është, kompletimi i Kosovës në të gjitha segmentet që i posedon një shtet normal. Kosova do ta ketë ushtrinë, do të ndodhë liberalizimi, do të ndodhin investime, siç e kemi rastin më “Kosovën e Re” dhe kështu”, thotë Pal Lekaj.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët e lartë të PDK-së si Enver Hoxhajn apo Memli Krasniqin, por asnjëri nga ta nuk e kanë hapur telefonin.

Ndryshe, partia e fundit që iu bashkua koalicionit PAN për ta formuar qeverinë ishte pikërisht AKR-ja e Behgjet Pacollit, e cila njëherësh zgjidhi krizën politike disa javore në vend.

Aleanca Kosova e Re ia “pa hairin” këtij koalicioni duke marrë katër ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit.

Ndërsa në Kuvend AKR-ja i ka vetëm dy deputetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme