Ideja e kryeministrit të vendit Isa Mustafa për formimin e një komisioni të ekspertëve për të matë territorin e Kosovës nuk po gjen përkrahjen as të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky subjekt politik përveç që po refuzon të dërgoj ekspertët e saj në këtë komision, e sheh këtë ide edhe si tallje e lojë të radhës të kryeministrit Mustafa dhe të qeverisë që ai drejton.
Kështu ka deklaruar për Gazetën Monitor, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, i cili ka cilësuar si jo serioze këtë kërkesë të kryeministrit drejtuar subjekteve opozitare dhe si mënyrë për të fituar në kohë.
“Kërkesat e kryeministrit të Kosovës që ne të kemi përfaqësues për matjen territorit, e konsiderojmë jo serioze. Përderisa ne nuk kemi pika kufitare dhe derisa nuk i ka sqaruar kryeministri i Kosovës ku do të filloj matja e territorit, mendojmë që është lojë e qeverisë së Kosovës për të fituar në kohë dhe për të bindur deputetët që të ratifikojnë marrëveshje me Malin e Zi”, ka thënë Lekaj për Gazetën Monitor.
Duke pas parasysh këtë, Lekaj ka thënë se subjekti i tij AAK është kundër këtij komisioni dhe nuk do të bëhet pjesë e tij.
“ Aleanca është kundër këtij komisioni, dhe e sheh si lojë të radhës nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës. Prandaj nuk do të marrim pjesë në të”, ka theksuar Lekaj.
Kundërshtimin e tyre lidhur me këtë komision e kanë dhënë edhe dy subjektet opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën.