AAK: Nuk shohim rrezik për zgjedhje

Prishtinë | 18 Maj 2019 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i partisë së kryeministrit Haradinaj, Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, kërkesat e opozitës së vendit për zgjedhje i ka quajtur joserioze, teksa vlerëson se në situatën aktuale nuk ka rrezik real për rrëzim të Qeverisë, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Është rregull i demokracisë që qeveritë të bien me mocion, mirëpo opozita aktuale më shumë i ka përmendur zgjedhjet si mundësi për ta ruajtur elektoratin e vet, përndryshe ata janë të vetëdijshëm që nuk i kanë numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Pra kësisoj qeveria ‘Haradinaj’ po vazhdon që të punojë e qetë”, ka thënë Selmanaj për “Zërin”.

Ndërsa i pyetur se sa ka rrezik që ndonjëra nga partitë në pushtet t’i bashkëngjitet opozitës për rrëzim të Qeverisë, Selmanaj ka thënë që kjo gjë nuk mund të ndodhë për shkak se nuk ekziston ndonjë përçarje në koalicion.

“E para, nuk ka përçarje në koalicion, mund të ketë mendime të ndryshme për një çështje të caktuar, por kjo nuk nënkupton që brenda koalicionit ka përçarje, koalicioni është stabil dhe unë nuk shoh mundësi reale për zgjedhje aktualisht”, ka theksuar ai./ZËRI

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme