Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur konferencën e dytë për medie për të njoftuar për rrjedhën e procesit zgjedhor.
Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Meliza Haradinaj-Stublla, tha se lajm i mirë për Kosovën është se këto zgjedhje kanë shënuar edhe më tutje progres dhe parregullsitë janë evidentuar me kohë, raporton Ekonomia Online.
“Pjekuria politike po vërtetohet nga informatat që i marrim nga terreni dhe gjithë vendet ku votohet sot”.
“Nuk ka incidente serioze, përveç disa parregullsive të cilat janë raportuar me kohë dhe janë evidentuar nga institucionet”, tha Haradinaj-Stublla.
“Qytetarët e vendit i përgëzojmë për një proces të qetë demokratik dhe mbi të gjitha të civilizuar dhe e vlerësojmë lart punën e institucioneve të vendit në mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, deklaroi Haradinaj-Stublla.
Ajo ftoi qytetarët të cilët nuk kanë votuar ende që t’i shfrytëzojnë orët e mbetura për ta kryer këtë obligim qytetar.
“Secila votë e ka përgjegjësinë e saj për qeverisjen e katër viteve”, u shpreh zyrtarja e AAK-së.