Emisari i SHBA-së, Richard Grenell, ka njoftuar dje se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka anuluar udhëtimit drejt Washingtonit pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale.
Grenell kishte thënë se pavarësisht kësaj, takimi i 27 qershorit në Washington do të mbahet dhe se në të do të marrë pjesë kryeministri Hoti.
Ndaj një qëndrimi të tillë ka reaguar ish-zëvendësi i Kurtit sa ishte kryeministër, Haki Abazi, duke e cilësuar Hotin si kryeministër kukull dhe të pa legjitimitet, meqë sipas Abazit qeveria Hoti ishte krijuar me mbështetjen e Thaçit.
“Një kryeministër kukull i një qeverie ilegale nuk ka autoritet për të diskutuar apo përfaqësuar askënd në Kosovë. Qeveria e tij ishte krijuar pas shtytjes së deputetëve nga Thaçi në orën 1 të mëngjesit”, ka shkruar Abazi.
Megjithatë, Hoti ka njoftuar se për shkak të zhvillimeve nuk do të udhëtojë drejt Washingtonit, derisa ende s’është dhënë ndonjë njoftim nga zyra e Grenellit nëse do të anulohet i gjithë takimi.