Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi ka thënë për Ekonomia Online se Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar që nuk shkoi në listë të përbashkët me LDK-në.
Abazi madje ka thënë se pavarësisht dallimit konceptual, këtë do duhej ta bënin për hir të qytetarëve, ngase e kanë të qartë se asnjëra nuk do të mund të dalë fituese në zgjedhjet e 11 qershorit.
“As LDK e as Vetëvendosja vetë nuk kanë mundësi me krijua një shumicë absolute parlamentare kështu që do të ishte e mençur që të krijohej një listë e re e përbashkët, të krijohet për qytetarët”, ka thënë ai.
Sa i përket koalicionit PDK-AAK-NISMA, Abazi ka thënë se ky koalicion ia ka lehtësuar zgjedhjen qytetarit, pas sipas tij, është bërë një ndarje në mes të atyre që kanë luftuar kundrejt atyre që ai i quan pjesa e mobilizimit politik paqësor.
Përderisa është shprehur se i dhimbsen AAK dhe NISMA që nuk kanë mësuar nga përvoja e LDK-së.
“Në momentin e fundit të parakalimit të afatit u bë koalicioni parazgjedhor mes PDK-AAK dhe Nismës që në një formë e lehtëson zgjedhjen për qytetarët sepse është ata që kanë luftuar kundrejt atyre që konsiderohen si pjesa e mobilizimit politik paqësor të themi. Mua më dhimbsen shumë AAK dhe Nisma që nuk kanë mësuar më shumë nga LDK-ja. Janë hyrë më një parti e cila ka tradhtua koalicionin qeverisës gjatë gjithë kohës edhe vetëm nja kalkulim kanë pasur përpara, interesin e vetë” është shprehur ai.