Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të pagave në sektorin publik, zhvillim të arsimit e të shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Këto komente, kreu i LDK-së i ka bërë në “Turneun e Ndryshimit” që sonte u mbajt në Fushë-Kosovë.
Abdixhiku tha se reagimi i anëtarëve të LDK-së, ka ndalur partinë në pushtet që t’i fus duart te fëmijët.
“Sot le të themi që në Fushë-Kosovë i paskeni dhënë kapak. U nis uragani i madh i fitores zyrtarisht nga Fushë-Kosova e gjithandej. Kur gjëra në Kosovë shkojnë keq dhe mbrapsht e kur qytetarët tanë kerkojnë seriozitet dhe punë ata kanë adresë dhe ajo është LDK-ja. Kjo është LDK-ja që kam kërkuar dhe e kam pikërisht sot tashmë qytetarët e Kosovës e kanë. Kur LDK-ja ngrihet bashkë, nuk ka asgjë që e ndalë, sepse LDK-ja i takon Kosovës dhe qytetarëve”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku e ka kritikuar Qeverinë Kurti për skandalet korruptive, nga grantet e dhëna për familjarët e tyre, rezervat shtetërore e kontratat njëburimore.
“Si bartës i së djathës neve na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, konsolidimit dhe integrimit të Kosovës. E shkuara jonë është e lavdishme, por e ardhmja është e padefinuar dhe unë sot dal para jush për t’iu përqafuar sepse Kosova qëndron në udhëkryqin politik esencial, qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë peshën e zgjedhjeve të tyre”.
“Do të punojmë për paga më të larta, për shëndetësi, për arsim e për shkolla. Përgjatë dy viteve të fundit kam takuar prindër që punojnë tëre ditën dhe nuk ia dalin ta përfundojnë muajin”.
Ai ka paralajmëruar pushtetin aktual se do të ndiqen penalisht për keqpërdorimet që nga buka e bujqve, rezervat shtetërore e kontratat njëburimore. “Për ata që kanë bërë keqpërdorime nuk do të ketë shpëtim”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku për doracakët e Ministrisë së Arsimit: Për ne, të djathtit, fëmijët janë të paprekshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është kthyer edhe njëherë temës së doracakëve të Ministrisë së Arsimit për Edukatën Seksuale.
Në ‘Turneun e Ndryshimit’ që sonte u mbajt në Fushë Kosovë, Abdixhiku tha se reagimi i anëtarëve të LDK-së, ka ndalur partinë në pushtet që t’i fus duart te fëmijët.
“Më lejoni që edhe nga këtu, nga Fushë Kosova, të shprehë mirënjohjen dhe falënderimin fillimisht për 9 komunat e LDK-së, e më pas për reagimin e madh qytetar, që tendencave të një pushteti ekstremist të majtë, për t’i futur duart tek fëmijët, për t’i futur duart tek familjet, i dolën në ballë”, tha Abdixhiku,
“Reagimi ynë kolektiv, i ndali ata! Sepse për ne, të djathtit, familja është e shenjtë Sepse për ne, të djathtit, fëmijët janë të paprekshëm”, tha ai.
Ai tha se fëmijët e Kosovës duhet të mësohen e aftësohen për të bërë të ardhmen e Republikës sonë, atdheut të tyre.
“Të bëjnë të ardhme të denjë për të bërë fëmijërinë, familjen e pleqërinë e tyre – mësohen e aftësohen për identitet gjinor, me tekste kontraverse e me ideologji të rrezikshme anti-familjare, anti-kombëtare”, tha Abdixhiku.
Berisha: LDK-ja është një fidanishte e madhe e njerëzve profesionistë
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se kjo gjeneratë e LDK-së është fidanishte e madhe e njerëzve profesionistë.
“Kjo është gjenerata e ndryshimit të madh, nuk janë ata atje, popullit i bashkangjitemi të gjithë dhe më 9 shkurt t’i tregojmë se ku e kanë vendin, sepse LDK-ja është një fidanishte e madhe e njerëzve e profesionistëve”, ka thënë Berisha.