Abdixhiku: Kurti të kërkoj falje, është turp lavdërimi i një krimineli të luftës

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 11:31 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për gjendjen në veri të vendit. Më tutje, ai ka përmendur, siç i ka quajtur dy skandale.

Lideri i LDK-së ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj, si dhe kërkim falje për lavdërimin e një siç e ka quajtur ai, krimineli të luftës nga ana e kryeministrit, duke iu referuar videos për Oliver Ivanoviqin.

“Gjendja në veri nuk është normale. Në emër të sovranitetit Kosova nuk ka pasur kurrë më pak sovranitet. Në emër të ligjshmërinë, Kosova kurrë nuk ka pas më pak ligjshmëri. S’kemi policë, prokurorë, e as zgjedhje demokratike për të zgjedhur pushtetin lokal”, ka thënë ndër të tjera ai.

“I pari ka të bëjë më një ambasador të Kosovës në Kroaci dhe gjithë amnistinë bllanko të dhënë nga pushtetarët. Ky ambasador është i lidhur jo vetëm politikisht, por edhe financiarisht me mbrojtësit e tij. Ambasadori ka dy kallëzime penale, por ai vazhdon të marrë mbështetje”.

“Skandali i dytë lidhet me rehabilitimin e Ivanoviqit, i cili nga ky pushtet vlerësohet se ka kontribuuar për një Kosovë multientike. Ai ka qenë i dënuar më 9 vite burgim për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë…
Është turp, është monstrum politik që nuk guxojmë të lejojmë të ndodhë në Kosovë, teksa shikojmë këto dy skandale, pyetja ime e vetme është për qytetarët e vendit, a është ndryshimi që kemi pasur nevoje të gjithë”.

Fjalimi i krytarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë seancës:

“Faleminderit e nderuara kryesuese,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,
Po e nisim sesioni e ri parlamentar, me më shumë paqartësi e fatkeqësisht në më shumë skandale se sa që e mbyllëm atë paraprak.

Po e nisim sesionin e ri, me një Veri të normalizuar në jonormalitet. Dy muaj tensione, politika të pakoordiunuara me aleatë, e sulme të parreshtura ndaj policisë, për t’u kthyer në një gjendje jonormale, por që megjithatë s’trajtohet si e tillë.

Le ta themi qartë, gjendja në veri nuk është sot normale. Në emër të sovranitetit, Kosova, Republika jonë nuk ka patur kurrë më pak sovranitet. Në emër të ligjshmërisë, Kosova nuk ka patur kurrë më pak ligjshmëri sesa që ka sot. Ka tre muaj që në veri nuk kemi polici të rregullt, nuk kemi prokurorë, gjyqtarë e s’kemi as pushtet komunash dhe për më tepër, s’kemi as zgjedhje të lira e demokratike atje. A është ky sovraniteti i një shteti brenda territorit të vet?

Përveç se liruan një të akuzuar për terrorizëm në arrest shtëpiak; përveç se dështuan ta sjellin të njëjtin para drejtësisë; përveç se arritën të normalizojë ndërkombëtarisht cilësimin e barrikadave si mjete paqësore; përveç se amnistuan secilin barrikadues; përveç se dështuan të mbajnë zgjedhjeve të lira e demokratike brenda territorit tonë për herë të parë; ky pushtet me gjithë paaftësinë ka arritur mjeshtërisht të rikthejë çështjen e veriut në tavolinë në kohën kur pritej marrëveshje finale.

Gjendja e sotme në veri, është dorëzim i interesave shtetare të Kosovës para dialogut dhe para vet Serbisë. Keni rënë në grackë të tyre dhe fatkeqësisht për këtë Qeveria jonë, përgjegjësit e kësaj gracke as që janë në dijeni.

Dhe kjo rënie në grackë, na forcohet dhe me deklarime të papërgjegjshme të vet pushtetarëve. Të atyre që thonë, tashmë dhe publikisht, se njohja e Kosovës nuk parashihet me marrëveshje. Ky është dorëzim para rrugëtimit tonë shtetar. Ky është një devijim nga çdo përpjekje e jona kolektive për marrëveshje finale që na e hapë rrugëtimin integrues përpara. Kosova nuk duhet të ketë marrëveshje bazë dhe Kosova nuk duhet të këtë marrëveshje pa njohje brenda saj. Ky është momentumin ynë, i duhet njohja Kosovës, i duhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Dhe në mesin e shumë ngjarjeve tjera përveç veriut dhe dialogut, dhe rrugës së theqafjes që kjo Qeveri na shpie gjithë, s’kam se si të mos përmend edhe dy skandale të mëdha të ndodhura këto ditë. I pari ka të bëjë me një ambasador të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe gjithë amnistinë Blanko të dhënë ndaj tij nga pushtetarët tanë. Ky ambasador duket se është i lidhur jo vetëm me të politikisht por dhe financiarisht me mbrojtësit e tij. Sipas raportimeve tashmë të bëra publike, janë tërhequr nga ai në mes të Prishtinës, 1.4 milionë euro para të gatshme kesh. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd.

Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë. Prandaj ambasadori ka dy kallëzime të ndara penale. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh; dhe një tjetër për fshehje të pasurisë. Por, ai vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve, përkundër fakteve të qarta, të bëra publike. Dhe ai do të ketë edhe një kallëzim penal të ri deklarim të rrejshëm brenda Komisionit Hetimor Parlamentar të cilin fatkeqësisht, pushteti, partia shumicë e ka bojkotuar në takimin e fundit.

Skandali i dytë ndërsa, na lidhet me rehabilitimin e një krimineli të luftës, Oliver Ivanovic, bartësit e formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’, i cili nga ky pushtet na portretizohet, besoni ose jo si njëri e emër që ka kontribuar në një Kosovë shumë etnike. Oliver Ivanovic, pra njeriu që pushteti e kryeministri Kurti e cilëson si kontribuues të një Kosove shumë etnike, ka qenë i dënuar me 9 vite burgim, në shkallë të parë për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. 31 civil shqiptarë nga njeriu multietnik i këtij pushteti. Dhe kur i dëgjoj dhe deputetët dhe komentatorët e pushtetit, që e cilësojnë këtë gjest si taktikë, kaq lehtë gjaku i civilëve shqiptarë na shndërrohet si taktikë politike, është turp, është monstrum politik që s’guxojmë ta lejojmë të ndodhë në Kosovë.

Dhe teksa shikojmë këto dy skandale që na shpërfaqen sheshazi nga ky pushtet e kjo qeveri, pyetja ime e vetme që u bëj qytetarëve të vendit është se a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte nevojë? Që të amnistohen të korruptuarit, njerëzit e korruptuar pra, që kanë lidhje me pushtetin e të rehabilitohen kriminelët e luftës për më shumë pushtet.

Sot në këtë Kuvend, kam dy kërkesa. Shkarkim për të parin dhe mbajtje përgjegjës për secilin të ndërlidhur me të. Kërkimfalje për lartnimin e një krimineli të luftës nga kryeministri i Kosovë. Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!

Ju faleminderit!”


Lexo më shumë:

Të ngjashme