Abdixhiku: Kushtetuta e Kaçanikut, akti themelor i shtetësisë së Kosovës

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 36-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të shënuara të historisë së re kombëtare dhe si aktin themelor të shtetësisë së Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se më 7 shtator 1990, deputetët e Kosovës, në kushte okupimi dhe shtypjeje serbe, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte akt i madh rezistence dhe sfidë e hapur ndaj pushtimit. Ishte shprehja më e qartë e vullnetit të palëkundur të popullit tonë për liri, për barazi dhe për një të ardhme të pavarur e demokratike”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka rikujtuar edhe deklaratën e Presidentit Ibrahim Rugova se 7 shtatori i vitit 1990 hyri në historinë më të re të Kosovës si dita e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 korrikut të të njëjtit vit.

Në 36-vjetorin e Kushtetutës, Abdixhiku ka shprehur nderim për deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, përkundër rrezikut dhe presionit, morën vendimin për shpalljen e saj.

Ai ka nderuar gjithashtu gratë dhe burrat që, sipas tij, me përkushtim, sakrificë dhe punë të palodhshme kontribuuan në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe në realizimin e ëndrrës së popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi.

“Kushtetuta e Kaçanikut mbetet një nga testamentet më të fuqishme të rrugëtimit tonë shtetformues. Ajo na kujton se shteti i Kosovës u ndërtua mbi sakrificën, guximin dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të saj”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, ky testament i obligon institucionet që ta mbrojnë shtetin e Kosovës, ta forcojnë demokracinë, t’i ruajnë institucionet dhe ta ndërtojnë një Republikë më të fortë, më demokratike, euroatlantike dhe evropiane.

“Lavdi dhe nderim të përjetshëm të gjithë atyre që vunë themelet e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Abdixhiku.

Të ngjashme