Abdixhiku në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Popujt maten me shpirtin dhe gatishmërinë për sakrificë

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 10:58 | Nga Drita Dërmaku

Në seancën solemne të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku theksoi se në momentet vendimtare popujt nuk maten me numra apo territore, por me shpirtin dhe gatishmërinë për sakrificë, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku foli për sakrificën e Adem Jasharit.

“Këto prova të thella morale shtrojnë një dilemë sot thjesht, ashtu edhe të rëndë për shumë gjenerata. Dilemën dhe pyetjen se për çfarë është një popull i gatshëm të jetojë dhe çfarë është i gatshëm të sakrifikojë. Në ato çaste, popujt nuk maten më me numra, nuk maten as me territore, edhe më pak me forcë luftarake. Ata maten me shpirtin e tyre, me gatishmërinë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë të shenjtë, më të shenjtë sesa veten e tyre. Në ato çaste vendimtare, historia kërkon njerëz që janë në lartësinë e saj. Njerëz që e kuptojnë se jeta e tyre nuk u përket më vetëm atyre, por është e destinuar për një fat shumë më të madh kombëtar“, tha ai.

Ai nderoi të rënët për liri dhe tha se sakrifica nuk është humbje por akt i krijimit.

“Ata janë njerëz që ndoshta lindin si të gjithë të tjerët, jetojnë si të gjithë të tjerët, porse në momentin e provës epokale ngrihen mbi frikën, mbi instinktin e mbijetesës që mund ta ketë secili prej nesh dhe bëhen bartës të një përgjegjësie shumë më të madhe se vetë jeta e tyre. Pra thënë shkurt: sakrifikohen. Tani sakrifica është akt madhështor, në fakt është akti më madhështor që qenia njerëzore në tokë, por edhe në raportin e saj me hyjnoren, pra me vetë Zotin, arrin ta ndërtojë. Sepse sakrifica nuk është vetëm akt i luftës, ajo është një filozofi e vetë jetës. Në këtë kuptim, sakrifica nuk është humbje. Ajo është një formë e rrallë e krijimit. Sepse përmes saj lind kuptimi më i thellë i një populli për vetveten“, tha Abdixhiku.

Abdixhiku foli për krijimin e komandantit Adem Jasharit.

“Adem Jashari, para së gjithash një njeri i një vendi të shtypur, ishte një njeri i një toke jo të lirë, i një shtëpie shumë fisnike dhe i një familjeje me një kujtesë të trashëguar.

Në botën e përditshmërisë së tij, aty ku rrëfimet për qëndresën e brezave të mëparshëm përziereshin me jetën e përditshme të brezit të tij, historia nuk ishte diçka e largët. Ajo ishte një prani e vazhdueshme, e pranishme mes një ode të një kulla me plot miq. Mbi atë prani të vazhdueshme e të pranishme u krijua edhe Ademi”, tha i pari i LDK-së.

Të ngjashme