Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet e 9 Shkurtit nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër të ardhshëm të Kosovës, por për të përcaktuar vetë fatin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Duke folur para qindra anëtarëve e përkrahësve të LDK-së në “Turneun e Ndryshimit” në Obiliq, Abdixhiku ka shprehu besimin se më 9 shkurt 2025 do të ndodhë rikthimi i LDK-së
“Këto zgjedhje nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ato, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar vetë Kosovën. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në lumin e madh të rrjedhave botërore, apo si një vend i zymtë, i propagandës, i përçarjes, i mbylljes e i sanksioneve, si një vend i zbrasjes së dhimbshme – i thyerjes së madhe përtej së cilës mbesim edhe pak, edhe vetë, edhe keq. Këtë zgjedhje unë e kam të qartë. Ketë zgjedhje ju duhet ta keni të qartë. Për katër vite të plota, njerëzit e Kosovës kanë vëzhguar se si premtimet e mëdha kthehen në fjalë të thata. Se si ato humbasin peshën para humbjes së vetë shpresës. Dhe me peshë e me shpresë, humbet dhe ëndrra për vendet e punës, për pagat e larta, për shkollat e denja, për spitalet e shëndosha, për drejtësinë e mbarë – për vetë jetën në Kosovë”.
Abdixhiku tha se këto ditë po takon qytetarë e po dëgjon hallet e tyre.
“Këtë të vërtetë e kam gjetur mes njerëzve tanë. Në udhëtimin tim politik nëpër Kosovë, kam pasur privilegjin të dëgjoj rrahjet e zemrës së popullit tonë, të kuptoj betejat që i mbajnë zgjuar natën dhe shpresat që i ndriçojnë ditët e tyre. Unë kam parë shpirtin e palëkundur të njerëzve tanë, dhe i mbajë me vete gjithë historitë e tyre. Kam takuar një nënë të re, me emrin Drita, nënë e tre fëmijëve, të tre në shollë, që punon me dy punë, duke gërshetuar pa u lodhur e pa shumë fjalë djersën dhe ëndrrat e saja; por që mezi ia del mbanë. Qëndrueshmëria e saj, forca e saj, e një nënë që shkrihet për fëmijë, është një dëshmi e shpirtit të popullit tonë, por lufta e saj për mbijetesë është një thirrje për veprim për të gjithë ne. Kam takuar një mësuese me emrin Linda, teksa nxiste shkëndijën e kuriozitetit tek fëmijët tanë, duke formësuar kështu mendjet që do të përcaktojnë vet të ardhmen tonë. Ajo e bënë këtë punë fisnike në një klasë të ngarkuar, pa kushte në to, gjersa në mendje ka fundin e muajit dhe një pagë që nuk i rritet dot”, u shpreh Abdixhiku.
“Kam folur me mjekë e infermierë, si Dr. Blerimi, të cilët kalojnë orë të pafundme në përballje mes jetëve të dorëzuara në dhomat e stërmbushura të spitaleve të stërvjetruara; gjersa hallet e familjeve aty, mu në korridor pranë, për barnat që nuk i kanë dhe s’mund t’i kenë u qëndrojnë si thyerje njerëzore para dëshpërimit profesional”, u shpreh Abdixhiku, teksa vazhdoi rrëfimin e tij para simpatizantëve të LDK-së.
“Kam takuar Tomorrin, ushtarin e Kosovës, që në krenarinë më të madhe patriotike bartë uniformën e mbrojtësit të Republikës, siç kishte bartur babai i rënë i tij, tashmë hero. Tomorriudhëton çdo ditë nga Istogu për në Gjilan, dhe kthehet pas, nga ora 6 deri në ora 6. Paga e tij nuk i lejon të ketë një banesë për familjen që ka ëndërruar ta ketë gjithherë. Kam takuar dhe Arbrin, një student i shkëlqyeshëm, punëtor shembullor, që në çdo mëngjes më rikujton për vendimin e marrë që të ikë nga Kosova. Aty, në atë moment, të humbet secili triumf. Aty në atë moment, të lindë nevoja urgjente për veprim. Kam takuar dhe Agimin, një bujk që mbanë njëfamilje të tërë me tokën e punuar. Agimi nuk ka miq, mbesa e nipa në Ministri për t’i marrëgrante nga 100 mijë. Ai ka besim në duart e veta, në shtëpinë e vet dhe në vullnetin e Zotit për tokë të begatshme e me bereqet”, u shpreh i pari i LDK-së.
Abdixhiku thumbon Kurtin: Unë nuk ju premtoj Bashkim Kombëtar e t’ju sjell Autonomi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do të japë jap zotime të mëdha që s’bëhen kurrë e as “të ndërtojë një shpresë që do ta thyejë më pas pa asnjë ndjenjë”, raporton Ekonomia Online.
Duke folur para të pranishmëve në “Turneun e Ndryshimit” që të enjten u mbajt në Obiliq, Abdixhiku ka deklaruar se kjo ringritje e LDK-së do të ndodhë më 9 shkurt.
Ka thënë se premtimet nuk i bën nëse janë të parealizueshme, ndërsa thekson se nuk qëndron para qytetarëve as për të nxitur urrejtje për tjetrin.
“Jo të ju premtoj Bashkim Kombëtar e të ju sjellë Autonomi. As të premtoj zhvillim përrallor e të përfundojë me një urë dymetërshe. Jo të ju premtoj rend e drejtësi për të përfunduar në kapje. Integrim e njohje për të marrë izolim e sanksione. Sot nuk qëndroj para jush as për të nxitur urrejtje për tjetrin. Të ju ndajë në tradhtarë e patriotë. Me mua apo me Serbinë”, ka thënë Abdixhiku.
“Nuk ka Kosovë të partive. Nuk ka Kosovë të individëve. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një adresë dhe një adresë të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm. Republika jonë është vet ëndrra jonë. Ndryshimi i sotëm është misioni ynë. Është thirrja jonë për prindërit e rinj, për mësuesit, punëtorët, mjekët, ndërmarrësit, bujqit, ushtarët, policët, pensionistët e studentët. Për secilin nga ju që ndihet sot i lodhur nga pritja, i lodhur nga premtimi se ndryshimi do të ndodhë një ditë, që është lodhur nga zymtësia, nga ndarja e propaganda. Jemi popull i lirë me ëndrra të mëdha”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku premtoi edhe rritje të vlerës së koeficientit për pagat në sektorin privat. Tha se këtë do ta bëjë që në javën e parë të mandatit.
“Dhe në këto ëndrra të mëdha tona, ne gjejmë njëri tjetrin, atë që e keni afër tani; jo si copëza të një shoqërie të ndarë, por si qytetarë të një Republike krenare, si një popull, nën një flamur, nën një fat të përbashkët. Ky fat i yni nuk definohet nga frika, por përcaktohet nga shpresa. Ky fat i yni nuk definohet nga ndarja, por nga përbashkimi! Prandaj sot, mbi të gjitha, nuk qëndroj para jush te them se jemi te varfër. Të ju ftoj në dorëzim e ankesa. Për të gjithë shërbyesit publik, ne kemi koeficientin 150 që në javën e parë të Qeverisë. Rritja e pagave është domosdoshmëri Familjet kosovare duhet të jetojnë mirë! Familjet kosovare duhet të kenë mirëqenie e pasuri! Prandaj kanë shtet. Prandaj do të kenë shtet”, u shpreh i pari i LDK-së, teksa vazhdoi me pretimet tjera nëse arrin të bëhet shef ekzekutivi.
“Për fëmijët në shkolla, për gjithë ata që lihen në mëshirën e fabrikave të paditurisë, kemi mësimin gjthëditor. Fëmijë në shkolla nga 8 orë, shujta të ngrohta e dije moderne. Sepse kur ke fëmijë të shëndoshë, ke dhe të ardhme të qëndrueshme edhe shtet të fortë. Për bujqit e lënë në mëshirën e sunvencionimeve politike, kam drejtësinë. Të korruptuarit nuk kanë shpëtim. Nga 9 shkurti do të marrin përgjigjen e merituar popullore, si për grante, si për rezerva për shtetërore, si për kontrata njëburimore”, u shpreh Abdixhiku.
Gashi: Më 9 shkurt do t’i ndërpritet rruga e keqe që po ndodh nga kjo qeveri
E kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ftoi qytetarët që në zgjedhjet e 9 shkurtit të bëhet ndryshimi.
“Sot o kurrë Kosova ka nevojë për ndryshime. Veteranë të LDK-së e gjenerata të reja të LDK-së, i themi po ndryshimit e vizionit të ‘Rrugës së Re’ të LDK-së. Më 9 shkurt do t’i ndërpritet rruga e keqe që po ndodh nga kjo qeveri. Më 10 shkurt Kosova do të ketë qeverisje të re në krye me Lumir Abdixhikun”, u shpreh Gashi.