Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të veprojnë në përputhje me vendimet e organeve të partisë sa i përket çdo marrëveshjeje politike, ndërsa ka paralajmëruar përgjegjësi nëse provohet se mekanizmat shtetërorë janë përdorur për të ndikuar në zhvillimet e brendshme të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku delegatët votuan kundër shkarkimit të tij, Abdixhiku tha se LDK ende nuk ka një marrëveshje politike me ndonjë subjekt, prandaj nuk mund të kërkojë mbështetje nga deputetët pa u arritur një dakordim.
“Për marrëveshje me LDK-në, vullnetin e Këshillit të LDK-së duhet t’ia kërkohet LDK-së. Nuk mund të përcaktoj vullnetin individual të njerëzve që janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe dëshirojnë të veprojnë jashtë LDK-së. Por për aq sa i përket LDK-së, do ta respektojmë këtë vendim të Këshillit të LDK-së, sepse ndryshe s’ka kuptim as demokracia, as organizimi partiak. Ne ende s’kemi marrëveshje. Prandaj unë s’mund të kërkoj votë mbështetëse prej deputetëve të LDK-së pa pasur një marrëveshje”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se vendimi i Kuvendit dhe i Këshillit të LDK-së është që partia të punojë për stabilitet institucional, ndërsa çdo marrëveshje eventuale duhet të kalojë përmes strukturave të saj.
“Ajo që është e qartë është se Këshilli i LDK-së u kërkon deputetëve që të respektojnë këtë vullnet të shprehur përmes kryetarit të partisë për stabilitet institucional. Kaq mund të bëjë një parti politike. Për marrëveshje me LDK-në besoj se do të mund të ngrihej një votë për secilin prej deputetëve të LDK-së, por kjo ndodh vetëm pasi të ketë një marrëveshje”, u shpreh ai.
I pyetur për pretendimet se persona jashtë partisë mund të kenë ndikuar në procesin e brendshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se, nëse vërtetohet një gjë e tillë, duhet të ketë përgjegjësi.
“Për çështjet e tjera, unë besoj që çdokush që është përfshirë me bindje të drejta për procesin e shkarkimit mund ta kuptojë. Por prej asaj që kam parë publikisht dhe përgjimeve që janë bërë publike, në qoftë se mekanizmat shtetërorë janë përdorur për ta trazuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë do të ketë përgjegjësi dhe përgjegjësi të madhe për këtë gjë. Mendoj që kanë gabuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë gjë, e nëse zoti Rama është përfshirë në këtë gjë, ka gabuar rëndë dhe anëtarësia e LDK-së nuk i fal këto”, deklaroi Abdixhiku.
