Abdixhiku paraqet vizionin për mbrojtje dhe siguri: Rritje pagash dhe reformë në Polici

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 20:20 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin për Drejtësi, Mbrojtje dhe Siguri, në kuadër të “Rrugës së Re”, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku në Lipjan ka theksuar se ky projekt synon transformimin e drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë në vendin tonë, “ashtu siç e meritojnë qytetarët”.

Ai shtoi se ndryshimet që do të vijnë do të prekin thellë sektorët kryesorë të jetës së qytetarëve, duke përfshirë një rritje të konsiderueshme të pagave dhe një reformë të thellë në polici dhe siguri.

“Sot, kemi tri tema kryesore. Kemi bërë bashkë ekspertët e LDK-së, dhe gjatë vitit të kaluar kemi hartuar një program politik për përmirësimin e situatës. Këto tri fusha janë më sfiduese, sepse kur kam biseduar me ushtarakët dhe policët, kërkesat për një reformë të thellë kanë qenë shumë të mëdha. Ndryshimi i vërtetë do të fillojë me rindërtimin e Policisë së Kosovës dhe me një plan bazik, por jetik, që përfshin rritjen e pagave dhe koeficientin 150 për javën e parë”, tha Abdixhiku.

Kandidati i LDK-së po ashtu ka paralajmëruar një rritje të numrit të policëve, duke synuar 10,000 oficerë. Ai ka theksuar se çdo lagje duhet të ketë policë të vet, duke formuar një polici të bashkësisë.

“Një nga projektet kyçe është forcimi i infrastrukturës policore, përfshirë një investim të madh në mjete dhe teknologji. Po ashtu, ne do të vendosim 2,000 kamera në trupin e policëve për të rritur efikasitetin dhe sigurinë”, tha Abdixhiku.

Ai ka theksuar se një angazhim i fortë është i nevojshëm për të ngritur nivelin e sigurisë në një standard krejtësisht të ri.

Përsa i përket anëtarësimit në NATO, Abdixhiku tha se ky është një synim kryesor për qeverinë e tij. “Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Duhet të investojmë më shumë në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë. 2% e PBB-së do të dedikohen për mbrojtje”, theksoi Abdixhiku.

Në fjalën e tij, ai foli gjithashtu për nevojën e një arsimi ushtarak të avancuar, që përfshin trajnimin e nxënësve në shkollat civile për mjetet e mbijetesës dhe aftësimin e tyre në rast emergjencash.

“Ky është një program për të ardhmen, për një Kosovë më të sigurt, më të fuqishme dhe më të përgatitur për sfidat e kohës”, përfundoi Abdixhiku.

Të ngjashme