Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kryeministrin e vendit, Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe stabilitetin institucional ka shkruar se afati është i kufizuar.
“Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku përcaktohet fati i institucioneve, kam zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe çështjen e stabilitetit institucional të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor.
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale”, ka deklaruar ai.
Sipas Abdixhikut, Presidenca duhet të ruajë rolin kushtetues dhe të mos shihet si vazhdim i shumicës qeverisëse.
“Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse”, ka theksuar ai.
Në vijim, ai ka bërë të ditur se LDK sheh dy rrugë të mundshme për tejkalimin e situatës.
“Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se në të dyja rastet kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve, ndërsa paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje vendi mund të shkojë në zgjedhje.
“Në të dyja rastet, kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës; dhe ditët në vijim do të na tregojnë se cila rrugë do të jetë e mundshme. Nëse asnjëra, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë”, ka theksuar ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK do të veprojë me përgjegjësi në këtë proces.
“LDK do të veprojë në këtë proces me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet absolut ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.