Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, i cili pritet të mbahet më 30 korrik, pas kërkesës për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se ky është Kuvendi i katërt gjatë pesë viteve të tij në krye të LDK-së, duke theksuar se në tri raste ka kërkuar vetë besimin e anëtarësisë.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim. Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj. Këtë herë, të njëjtin besim më është kërkuar ta rimarr përsëri; veçse njëanshëm me kërkesë për shkarkim”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se një praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë në historinë e LDK-së.
“Në 37 vite histori, kjo praktikë nuk ka gjetur vend asnjëherë në LDK”, u shpreh ai.
Abdixhiku e cilësoi këtë proces si të panevojshëm dhe përçarës, por tha se do ta respektojë vendimin demokratik të partisë.
“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së. As nuk ka qenë koha; as vendi; edhe më pak mënyra”, deklaroi ai.
Megjithatë, kreu i LDK-së tha se demokracia duhet respektuar edhe kur vendimet nuk konsiderohen të drejta.
“Dhe demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njëjtë edhe të tjerët pas të enjtes kur LDK flet përsëri”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se do të marrë pjesë në Kuvend me qetësi dhe bindje, duke u bërë thirrje delegatëve që të qëndrojnë.
“Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndrojë. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër”, u shpreh ai.
Abdixhiku u bëri thirrje delegatëve të LDK-së që, sipas tij, të mbrojnë unitetin dhe të ardhmen e partisë.
“Qëndroni! Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë”, theksoi ai.
Ai tha se Kuvendi i 30 korrikut do të jetë vendimtar për të ardhmen e LDK-së.
“Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, shtoi Abdixhiku.