Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar në një tubim elektoral në Prishtinë projektet që, sipas tij, do të transformojnë kryeqytetin në vitet e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Para mbështetësve të partisë, Abdixhiku tha se Prishtina do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij, duke premtuar investime prej 1.5 miliardë eurosh në projekte infrastrukturore, sportive, teknologjike, shëndetësore dhe arsimore.
“Kjo energji e madhe që kemi, ditë e përditë, do të jetë kushtrimi i qartë. Kushtrimi i qartë do të jepet për ato projekte të mëdha që kemi për Prishtinën, për 1.5 miliardë euro që duam t’i japim për kryeqytetin tonë, për ta bërë qytetin më të mirë në botë. Këto para nuk janë mjete shpërblyese dhe nuk janë mjete zgjedhore; ato janë projekte identitare që i vijnë kryeqytetit me të mirat më të mëdha që ka mundur t’i ketë ndonjëherë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai veçoi projektin për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, Parkut Teknologjik dhe Qendrës së Sportit, për të cilat tha se do të investohen rreth 200 milionë euro.
“Po, këtu në Bërnicë, këtu afër Bërnicës, do ta kemi investimin më të madh në sport e teknologji: 200 milionë euro të investuara këtu afër jush, që Prishtinës t’i kthejmë Stadiumin e Madh Kombëtar, Parkun Teknologjik dhe Qendrën e Madhe të Sportit. Stadiumi Kombëtar e ka vendin në Prishtinë, mos ta harrojmë atë”, tha ai.
Abdixhiku premtoi gjithashtu realizimin e Unazës së Jashtme të Prishtinës, projekt që sipas tij ka mbetur i bllokuar.
“Prishtinës i vijmë me Unazën e Jashtme të kryeqytetit, atë unazë që po e mbajnë të bllokuar, por që do ta bëjmë ne, Lidhja Demokratike e Kosovës. Shëndetësia dhe Arsimi: Prishtinës i vijmë me Spitalin e Kryeqytetit dhe i vijmë me mësimin tërëditor”, deklaroi kandidati i LDK-së.
Abdixhiku falënderoi kandidatët dhe strukturat e partisë për angazhimin gjatë fushatës, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje në tubimin përmbyllës të LDK-së.
“Dega e Parë sonte po na jep një vullnet të jashtëzakonshëm që vërtet na bën krenarë. Na dhatë shpirt sonte, na dhatë forcë të vazhdojmë tutje deri më 17 nëntor. Kështu kam qejf ta shoh LDK-në në Prishtinë. Kështu kam qejf ta shoh Degën e Parë. Kështu kam qejf t’ju shoh të gjithëve të premten në sheshin ‘Skënderbe’ dhe në sheshin ‘Ibrahim Rugova’, në tubimin më të madh elektoral që kemi pasur ndonjëherë”, tha Abdixhiku.


