Abdixhiku: Programi politik i LDK-së ‘Rruga e Re’ po merr formë – s’kemi kohë të humbasim

Prishtinë | 06 Sht 2023 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se programi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ‘Rruga e Re’ po merr formë.

Sipas tij, ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur Kosovën tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit, raporton Klan Kosova

“Mbi të gjitha, ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor. Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Falënderoj secilin profesionist që ka kontribuar e po kontribuon në këtë program tash e sa kohë. Puna e tyre e madhe po kulmon në një rrugëtim të ri për Kosovën. Falënderojë dhe gjithë akterët jashtëpartiak që me diskutime të hapura kanë bashkëdefinuar sfidat e Republikës. U jemi mirënjohës intelektualëve, gazetarëve, ligjëruesve, diplomatëve, aktivistëve të shoqërisë civile e sektorit privat që me ide e pjesëmarrje në takimet tona kanë formësuar këtë rrugëtim. Në kohën e publikimit të programit – në një Konventë të madhe programore – dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtjesor”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka shtuar se cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lënë në një anë.

“S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq”, ka thënë ai tutje.

Të ngjashme