Abdixhiku: Qëndresa e familjes Jashari ishte rilindje e jona kombëtare

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 13:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se të kujtohet dhe shënohet Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të thotë të kujtohet dhe shënohet fondamenti i shtetit të Kosovës.

Në fjalën e tij të mbajtur në seancën solemne të së hënës në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku ka thënë se qëndresa e familjes Jashari përballë sulmeve të forcave serbe, ishte rilindje e jona kombëtare.

“Qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familjar një çerek shekulli më parë ishte qëllim i shuarjes së popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Qëndresa e tyre përballë forcave të shumta ushtarake ishte zgjim për ne”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se familja Jashari sot qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj.

“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vetë fondamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjen tonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh sakrificën, qëndresën e vetë kushtrimin e popullit tonë të reflektuar në një familje të vetme, në atë që sot na qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë. 25 vjet më parë mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të familjes, të afërm e bashkëluftëtarë ranë në altarin e lirisë duke i dhënë vendit jo vetëm një histori sakrifice, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që nuk mund të ndalej më. Në historinë e popullin e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje tjetër që arrin të ofrojë dhembshuri dhe krenari në të njëjtën kohë”, është shprehur ai.

Të ngjashme