Abdixhiku: Shtyrja e datës së zgjedhjeve është sulm mbi demokracinë

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklarata e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, është sinjal se Lëvizja Vetëvendosje po mundohet ta shfrytëzoj situatën me pandeminë pasi kanë krizë të numrave. Abdixhiku tha në Rubikon të Klan Kosovës se shtyrja e zgjedhjeve është sulm mbi demokracinë.

“Organizimi i zgjedhjeve është proces i ushtrimit të demokracisë ose fondamentit bazik të një shteti apo shoqërie dhe këtë fondament nuk bënë ta prekë askush, KQZ-ja është gati, KQZ-ja ka dëshmuar se në pandemi, pa asnjë vaksinë, me 14 shkurt ka mbajtur zgjedhje me distancë dhe maska. Përdorimi i një fatkeqësie për qëllime politike është atak mbi demokracinë, dhe në qoftë se të gjithë mekanizmat shtetëror të kapjes së shtetit në këtë rast vihen në shfrytëzim, atëherë po sulmohet demokracia, dhe për këtë nuk mund të kemi pajtim. Pikërisht sepse po na dhimbsen jetërat e njerëzve, kemi kërkuar reduktim të fushatës në 10 ditë për t’i shërbyer demokracisë në ditën e zgjedhjeve”.

Tutje Abdixhiku tha se mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve lokale është duke u diskutuar brenda qarqeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komunitetit ndërkombëtar që nga muaji gusht.

“Ka pasur strategji paraprake të përfolur brenda qarqeve politike për shtyrjen e zgjedhjeve për qëllime puro politike, pra për shkak të gjendjes së rëndë të numrave brenda partisë në pushtet në këto zgjedhje lokale. Është kalkulim i pastër politik. Është temë e ngritur prej 26-27 gushtit dhe prej atëherë qarkullon në qarqet politike diskutimi për shtyrjen e zgjedhjeve, është diskutuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe komuniteti ndërkombëtar, por motivi është puro politik, sepse ambienti është i rëndë për partinë në pushtet dhe duan ta shfrytëzojnë një tragjedi për qëllime politike”, tha Abdixhiku.

I pyetur nga gazetari Kelmendi se a është LDK-ja e gatshme të ndryshoj qëndrim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, nëse rekomandimi vjen nga IKSHPK, Abdixhiku tha se një rekomandim i tillë do të vinte vetëm nëse Qeveria Kurti do tu bënte presion ekspertëve shëndetësor.

“Nuk mund të flasë për situata hipotetike, por shpresoj se uroj që pushtetit të mos ushtroj presion mbi ekspertët tanë sepse situata pandemike ka qenë edhe me 14 shkurt por megjithatë janë mbajtur zgjedhjet”.

Të ngjashme