Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

Prishtinë | 15 Qer 2023 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur këtë të enjte në drekë pune nga ambasadori italian, Antonello De Riu.

LDK-ja njofton se gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë situatën në veri si dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme.

“Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, bëhet e ditur se Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të LDK-së si dhe ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme e gatishmërinë për të ndihmuar në situatën e krijuar.

“Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e partisë.

Të ngjashme