Abdixhiku thirrje Qeverisë: Çdo veprim të koordinohet me aleatët

Prishtinë | 26 Maj 2023 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë të gjithë potencialin e vet diplomatik dhe të koordinojë çdo përpjekje me aleatët ndërkombëtarë për të siguruar funksionimin e rregullt të institucioneve në veri.

Abdixhiku ka thënë se duhet shmangur nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që mund të vijë nga Serbia.

“Fillimisht, duhet t’i jap mbështetjen e LDK-së për djemtë tanë në veri që duhet ta shtrijnë sovranitetin në të gjithë territorin. Por njëkohësisht i bëj thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë të gjithë potencialin e vet diplomatik, të koordinojë çdo përpjekje me aleatët në mënyrë që të sigurojnë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri dhe shmangien nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese nga Serbia e më pas që na përkthehen në koncesione të tjera dialoguese. Përgjegjësia dhe sjellja e matur është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku të premten në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Të premten kryetarët e rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan tentuan të hynin në objektet komunale, një ditë pas betimit, por u përballën me qytetarë serbë që bllokuan hyrjet e objekteve komunale. Policia ka ndërhyrë për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa të paktën dy kryetarë mësohet të kenë hyrë në objektet komunale.

Nga incidentet e sotme në veri, pesë policë janë lënduar, por më pas u janë kthyer detyrave policore. Ndërkohë, janë dëmtuar edhe katër automjete, përfshirë një i djegur. Është sulmuar edhe ekipi i KOHËS.

SHBA-ja përmes ambasadorit Jeffrey Hovenier e ka dënuar aksionin e Policisë në veri.

Të ngjashme