Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, siç njofton zyra e tij, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit Filozofik. Aty thuhet se Abdixhiku foli për për shkeljen e Kushtetutës nga pushteti.
Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku me studentët diskutoi për “sfidat politike që ka Kosova, nevojën për reforma në arsim, politikën skandaloze të jashtme si dhe qasjen e vizionin e LDK-së për këto sfida”.
Së fundmi, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shkelur Kushtetutën me një vendim të marrë për nxënësit në Kamenicë, shkruan Gazeta Express.
LDK-ja njofton se Abdixhiku e trajtoi këtë temë me studentët.
“Njëra ndër çështjet që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e trajtoi me theks të veçantë ishte shkelja e Kushtetutës nga akterët e pushtetit aktual, krijimi i precedentit për mosmarrje të përgjegjësisë, si dhe interpretimi i vendimit të Gjykatës me gjuhë politike nga ana e pushtetit”, thuhet në njoftim.
“Për më keq, Kushtetuta është shkelë edhe nga ata që është dashur të merren me reformën në arsim, përkatësisht ministrja e Arsimit, ndaj, kjo është e papranueshme. Demokracia na duhet e gjallë dhe funksionale, ndërsa shkelja, analizimi dhe interpretimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti është përpjekje për defunksionalizim dhe mbytje të demokracisë”, citohet të ketë thënë Abdixhiku.