Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka kritikuar kolegun e tij nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, për mungesën në Kuvend.
Tahiri tha se ministrat nga kjo parti edhe pse dalin në zyre ata nuk janë të pranishëm në Kuvend, për të prezantuar projektligjet e veta.
Si rezultat i kësaj , ministri Tahiri bëri prezantimin e Projektligjit për dhënie në shfrytëzimin dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, raporton EkonomiaOnline.
“Në mungesë të përfaqësueseve të Zyrës së Kryeministrit prezantoj për Shqyrtimin e Parë Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të tokës së paluajtshme të komunës.. Pra në fakt në mungesë të Ministrit të Pushtetit Lokal, Lista Srpska siç e dini në një pozicion ka ngri pozicionet e veta, mirëpo ata dalin në zyre, por nuk vijnë me i prezantu projektligjet e veta. Andaj mendoj që është në interes të kuvendeve komunale që ky projektligj të miratohet në parim dhe pastaj në lexim të dytë të vazhdojmë me komentet e juaja që t’i kemi, që t’i inkorporojmë,” është shprehur Tahiri.
Paraprakisht në rend dite ishte për shqyrtim Projektligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme. Mirëpo në mungesë të propozuesit të këtij projektligji, shqyrtimi i tij është shtyrë për një ditë tjetër.