Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se të mërkurën është seanca ku në rend dite në ketë seancë, mes tjerash është edhe ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës përmes të cilit mundësohet tërheqja e 30% të parave nga Trusti, raporton Ekonomia Online.
Ai beson që në javët në vazhdim do të arrihet marrëveshje.
“Ju e dini që të mërkurën në rend dite do të jetë një draftligj për mundësimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Trusti, kërkesë kjo që po vjen në kohën kur vendi po ballafaqohet me rritje të çmimeve të secilit produkt esencial ushqimor, të derivateve e të energjisë elektrike. Nuk është në vullnet as të opozitës që t’i bllokojmë seancat, ne nuk largohemi nga Kuvendi, këtu e bëjmë betejën, por jo të lejohet të vazhdohet sikur është gjithçka normale kur po protestohet pikërisht në Kuvend”, ka shtuar ai.
E sa i përket pagës minimale që i lë jashtë veteranët, Tahiri tha se do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e Grupit Parlamentar të PDK-së.
“Ne vazhdojmë me i mbështet. Përcaktimi i pagës minimale është përcaktimi i të ardhurave minimale që mund të jetoj një familje. Mirë që ka filluar një dialog në mes të OVL-së dhe Qeverisë. Shpresojmë që ky dialog të përfundoj me një marrëveshje që do t’i gjej të kënaqur veteranët. Presim rezultat të kënaqshëm nga ky dialog”, ka thënë Tahiri.