Gjatë një vizite që i bëri lagjes “Arbëria”, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të shtunën se plani i tij parasheh që çdo vit në Prishtinë të mbillen nga 10 mijë drunj.
“Në këtë pjesë do të investojmë më shumë në infrastrukturë publike, përkatësisht nyjat infrastrukturore, por edhe disa mbikalime dhe nënkalime të cilat jemi duke i dizajnuar”, ka thënë Abrashi.
Ai tha se qëllimi i tij për të vizituar çdo lagje ka të bëjë me prezantimin e planit të tij katërvjeçar për qeverisjen e kryeqytetit, por edhe marrjen e sugjerimeve konkrete nga qytetarët, për t’i jetësuar ato në Programin e LDK-së.
“Me rëndësi është fakti se çdo lagje e Prishtinës do ta ketë buxhetin e vet, siç do të jetë rasti edhe me lagjen ‘Arbëria’. Ne do të investojmë në ndërtimin e këndeve për lodra për fëmijë, do ta ndërtojmë një mbikalim tek shkallët e Arbërisë dhe disa investime tjera”, ka përfunduar Abrashi.