Në manifestimin kryesor të hapjes së fushatës zgjedhore, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të enjten se kryeqyteti i Kosovës ka humbur shumë në këto katër vitet e fundit, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ta përkrahin atë dhe ekipin që ai udhëheqë për ta bërë ndryshimin e madh në Prishtinë.
“Prishtina ka nevojë për një qasje të re politike. Dhe ajo qasje e re shkon përtej grindjeve politike, përtej akuzave e kundërakuzave, përtej kalkulimeve populiste dhe dogmave ideologjike”, ka thënë Abrashi.
Sipas tij, për katër vjet, Prishtina mbeti peng i këtyre politikave, derisa rrugët e Prishtinës mbeteshin të mbushura me mbeturina, derisa trafiku ishte një kaos i plotë, qyteti po ngufatej çdo ditë e më shumë, ndërsa nuk u ndërtua asnjë shkollë e vetme, e njëkohësisht u rrit tatimi në pronë, u degradua jeta kulturore, e sportive, kurse tepronte buxheti komunal.
“Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Sepse, ky nuk është vetëm qyteti ynë, ky është qyteti i femijëve tanë, dhe i pasardhësve të tyre”, ka thënë Abrashi.
Duke u bazuar në përvojën e tij të bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme si ajo e pensionistëve, veteranëve të luftës, pensionioneve të bashkëatdhetarëve në Zvicër e shumë çështje tjera, Abrashi ka ofruar qasje proaktive për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Prishtinës.
“Kjo është qasja jonë e re, koncepti ynë i ri politik për Prishtinën. Unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal, me asamblistët e zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, pavarësisht partisë apo bindjeve, për të gjetur zgjidhje për problemet e Prishtinës. Sepse qytetarët na kanë zgjedhur që të ofrojmë zgjidhje dhe jo të ankohemi për të kaluarën dhe për të tjerët”, ka theksuar Abrashi.
Kandidati i LDK-së për Kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, përpara se të prezantonte 56 kandidatët për Kuvendin Komunal, ka theksuar se programi i tij për Prishtinën është i bazuar në nevojat reale të qytetarëve të Prishtinës dhe është një projekt konkret e i realizueshëm.
Shpalosjen e programit të tij për Prishtinën e ka filluar me idenë për krijimin e Fondit të Punësimit, përmes të cilit ai u shpreh i bindur se, për katër vjet, në Prishtinë do të krijohen rreth 30 mijë vende të reja të punës.
Ai ka premtuar uljen e tatimit në pronë, shtrirjen e ngrohjes qendrore në banesat e përbashkëta dhe lagjet e reja, ka premtuar krijimin e kushteve për zhvillimin e mësimit gjithëditor nëpër shkollat e Prishtinës, përmes ndërtimit të 7 shkollave të reja, ka premtuar ndërtimin e shkollës së muzikës, rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës e qendrave mjekësisë familjare në lagjet ku ato mungojnë si dhe fillimin e zbatimit të kujdesit shëndetësor shtëpiak.
Në planin e tij për Prishtinës, Abrashi ka thënë se janë paraparë më shumë zona gjelbëruese e kopshte rekreacioni, ndërsa prioritet do t’i kushtojë strategjisë për mbrojtjen e qytetarëve të Prishtinës nga rreziku i qenve endacakë.
Pallatin e Rinisë, Abrashi ka thënë se do t’ua kthejë qytetarëve të Prishtinës, duke gjetur mënyrën më efikase për ndërtimin e një kompleksi modern për sportin dhe rekreacionin.
Nën qeverisjen e tij, Abrashi ka thënë se do ta përkrahë zhvillimin e aktiviteteve të kulturës e sportit, ndërsa ka premtuar ndërtimin e Sallës Koncertale dhe Teatrit të qytetit.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, duke iu bërë thirrje kryeqytetasve ta mbështesin projektin e tij, ka theksuar se në Prishtinë do të kthehen projektet e mëdha, të lëna pas dore nga qeverisja në shkuarje e Prishtinës.
Ai ka premtuar ndërtimin e unazës së qytetit, mbulimin e përrenjve dhe kolektorëve të ujërave të zeza. “Do të gjejmë zgjidhje për parkingjet publike në qendër të Prishtinës”, ka premtuar Abrashi.
Ai ka thënë se do ta intensifikojë procesin e pranimit teknik të ndërtesave të reja, zvarritja e të cilave u ka shkaktuar shumë probleme qytetarëve, por edhe ndërtuesve.
Abrashi ka premtuar edhe rigjenerimin e zonës së Gërmisë, duke e realizuar ndërlidhjen e saj me Liqenin e Badovcit.
Një vëmendje të veçantë, ai ka thënë se qeverisja e tij do t’ia kushtojë zonës së Gollakut, ku ka premtuar projekte konkrete për zgjerimin e rrugës dhe vendimmarrje për destinimin e asaj zone për ndërtim, turizëm dhe zhvillim të bujqësisë.
Abrashi ka kritikuar zvarritjen e projektit të konservimit të qytetit të vjetër të Prishtinës, duke premtuar se me ardhjen e tij në qeverisje, Prishtina e vjetër do të kthehet në projekt prioritar.
Mbështetje për kandidaturën e Arban Abrashit për kryetar të Prishtinës dhe kandidatëve për këshilltarë komunalë, në hapje të fushatës zyrtare të LDK-së për Prishtinën kanë shprehur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe Sekretari i Përngjitëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili i ka bërë thirrje anëtarësisë së LDK-së dhe qytetarëve të Prishtinës të mbështesin projektin e LDK-së për kryeqytetin e Kosovës.
Mustafa: Qytetarët po e presin Abrashin për ta qeverisur Prishtinën siç duhet
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në tubimin zgjedhor në kryeqytet, ka thënë se qytetarët po presin kandidatin e tyre Arban Abrashin për ta qeverisur Prishtinën siç duhet e cila është keq-qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Pas dështimit me Lëvizjen Vetëvendosje, Prishtina po pret Lidhjen Demokratike që ta qeverisë këtë qytet me Arban Abrashin. Arbani do të bëjë zgjidhjen problemit me invalidët, veteranëve të luftës, njohjen e pensioneve nga Zvicra, sepse është një njeri i përgatitur dhe i diplomuar në master, gjë që e bën një njeri të dallueshëm prej konkurrentëve të tij”, ka thënë Mustafa, raporton EkonomiaOnline.
“Prishtina është kryeqyteti i shtetit tonë, që meriton qeverisje nga njerëz të mirë, të përgatitur e me dinjitet. Që krijojnë ura bashkëpunimi me kryeqytetet tjera. Prishtina është me fat që do ta ketë Arban Abrashin kryetar, sepse ai do të dijë të ballafaqohet me sfidat e kryeqytetit dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve të saj”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka theksuar se Arban Abrashi, si i ri e i shkolluar mirë, si një njeri i martuar dhe si prind, do t’i trajtojë problemet e qytetarëve sikur problemet e tij.
“Si ministër shumë i vyeshëm, ai ka arritur të bëjë reforma në hapjen e vendeve të punës, zgjidhjen e problemeve të pensionistëve, veteranëve, invalidëve, kontratave të rëndësishme me vende të ndryshme për punësimin sezonal të kosovarëve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Arban Abrashi është i përgatitur dhe do t’i japë rrugën e mbarë Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.
“Arban Abrashi dhe ekipi i tij nuk ka asnjë pengesë ideologjike, sikur tjerët, që na e rrezikojnë integrimin evropian”, ka thënë Mustafa.
Edhe sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, ka thënë se Arban Abrashi dhe ekipi i tij e kanë përkrahjen e plotë të LDK-së për ta qeverisur Prishtinën në katër vitet e ardhshme, ndërsa kanë kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve për t’ia kthyer dinjitetin kryeqytetit të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i ka bërë thirrje anëtarësisë së LDK-së ta mbështesin Arban Abrashin për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe listën e kandidatëve të LDK-së për Kuvendin e ardhshëm Komunal.
Ai ka thënë se LDK do t’ia kthejë dinjitetin banorëve të kryeqytetit të Kosovës, të cilët, pa dallime politike, i ka ftuar ta mbështesin Arban Abrashin dhe LDK-në për ta hequr qeverisjen degraduese dhe për ta kthyer qeverisjen e mirë të kryeqytetit të Kosovës.
Në këto zgjedhje, LDK-ja garon me gjithsej 56 kandidatë për Kuvend Komunal.