Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës Arban Abrashi, ka mbajtur një konferencë për fuqizimin ekonomik e social të gruas në nivel lokal.
Abrashi tha se vendimarrja dhe fuqizimi ekonomik i grave janë dy shtyllat kryesore të programit të tyre. Ai premtoi se vendimarrja në Komunën e Prishtinës të jetë 13 drejtori, 6 prej tyre të jenë për gratë, raporton Ekonomia Online.
‘’ Kemi menduar që vendimarrja në komunën e Prishtinës të jetë nga 13 drejtori, 6 të jenë për gratë dhe ky është synimi jonë qe gratë të marrin përgjegjësinë për realizimin e politikave të komunës. T’i marrin parasysh ato aspekte qoftë në arsim, në ndërrmarësi, në IT, të jenë bartëse edhe të reflektojnë për politika më të mira gjinore dhe për fuqizimin e gruas në përgjithësi në komunën e Prishtinës. Nuk duhet të shihen gratë vetëm si kuotë, por duhet të marrin përgjegjësi dhe të tentojnë të arrijnë”, u shpreh Abrashi.
Vjosa Osmani tha se synim kryesor kanë krijimin e kushteve që gratë të arrijnë fuqizimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
‘’ Kushtetuta jonë dhe ligjet që synojmë t’i realizojmë këtë mandat është Trashëgimia Kulturore që është inicuar gjatë qeverisjes Mustafa. Kemi synim të fillojmë nga pika e njëjtë sikurse burrat. Synimi ynë është të krijojmë kushte me edukim me përkushtim vizion të qartë që secila grua mund të arrijë fuqizimin e saj ekonomik, që atyre mos tu mbyllen dyert e suksesit’’, tha Osmani.
Ndërsa, Besa Zogaj-Gashi koordinatore e Lidhjes për Gruan në Prishtinë, tha se qëllimi i organizimit është marrja e përvojave të grave që janë përfshirë në politikë e biznese.
Për ofrimin e kushteve të shkollimit për vajzat, ishte drejtoresha e zyrës ‘’Erasmus plus’’ e Komisionit Evropian, Remzie Istrefi e cila i kërkoi Abrashit mbështetje në këtë aspekt.
‘’ Sistemi i arsimimit duhet të vendoset te kualiteti i mësimdhënies, dhënia e barabartë e të drejtave. kerkoj nga kryetari i ardhshëm i Prishtinës, mbështetje të vazhdueshme të njerzëve që kanë motivim t’i ndihmojnë kësaj shoqërie. Zhvilloni strategji dhe politika që i prekin femrat, keni parasysh buxhetimin për gra, merrni parasysh potencialin e vajzave dhe grave të reja për ushtrimin e autoritetit të tyre”, është shprehur Istrefi.
Kryetarja e shoqatës për ‘’Asociacionin mbi edukimin në fëmijërinë e hershme’’ , Sadete Bucolli-Gërbeshi, tha se nëse gratë kanë fonde të mjaftueshme mund të bëjnë biznese më të mëdha.
“ Ka vetëm 10% të ndërrmarrëse gra, nga mospërkrahja e grave nga familja, shoqëria dhe organet shtetërore. Gratë fillojnë në biznes me fillime vetanake, dhe nga mungesa e fondeve krijojnë vetëm mikrobiznese. Por nëse kemi fonde të mjaftueshme mundemi të bëjmë biznese edhe më të mëdha”, tha ajo.