Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar të shtunën 12 projektet kryesore, të cilat pritet ta shndërrojnë Prishtinë në një qendër zhvillimore, me parkingje nëntokësore, transport publik të bazuar në automjete hibride, me tramvaj, qendra rekreative sportive, etj.
“Projektet zhvillimore për kryeqytetin, do të implementohen nga komuna ose përmes formave të partneritetit publik-privat në katër vitet e qeverisjes nga LDK. Projektet zhvillimore, idetë e reja dhe planet e reja do të ndërtohen dhe implementohen me ekipe të reja, me dije dhe përvoja bashkëkohore. Ky do të jetë orientimi themelor i LDK-së”, ka thënë Abrashi.
“Zhvillimi i zonave ekonomike rrugës për Fushë Kosovës, në Veternik, rrugës për Mitrovicë, në drejtim të Obiliqit nga Qendra e Panaireve, në drejtim të Podujevës, në drejtim të Graçanicës, në zona të tjera publike dhe private, duke promovuar dhe integruar edhe komunat e vogla përreth në qasjen e zhvillimit metropolitan të Prishtinës”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se Parkingjet nëntokësore do të realizohen në disa lokacione në qytet, në konsultim të ngushtë me qytetarët e atyre lagjeve.
Abrashi ka prezantuar planin e tij për ta bërë Prishtinën me Metro. “Gjatë mandatit katërvjeçar do të përgatitet projekti detal dhe modalitetet e realizimit të metros së kryeqytetit, duke konsideruar format e partneritetit publik-privat”, ka thënë ai.
Projekti i Abrashit parasheh transportin urban hibrid (autobusët dhe taksitë, subvencionimi i veturave hibride) – duke përdorur modelet më bashkëkohore, do të mbështetet transporti urban hibrid, duke iu mundësuar taksive që përdorin këtë formë një subvencionim nga komuna dhe duke futur në përdorim autobusë të tillë.
Qendra Multimodale “Autobus – tren – tramvaj” në zonën ekonomike në dalje të Prishtinës për Fushë Kosovës, si pikë kyçe e transportit të njerëzve dhe mallrave në të gjithë Kosovën. Kjo do të realizohet përmes formave të partneritetit publik-privat.
Treni urban dhe lidhja me aeroport – përmes partneritetit publik-privat.
Zhvillimi i parkut Gërmia – si një kompleks për rekreacion i integruar plotësisht me qytetin e Prishtinës, duke e rigjeneruar pyllin e Gërmisë, siguruar qasje në anën tjetër të Gërmisë dhe zhvilluar shtigjet për ecje/vrapim.
Kopshti botanik dhe kopshti zoologjik – përmes partneritetit publik-privat.
Qendra Rekreative Sportive Qendrore – sipas standardeve ndërkombëtare përmes partneritetit publik-privat.
Zhvillimi i Rajonit të Gollakut – do të përgatitet në master plan për zhvillimin e gjithë zonës së Gollakut. Kjo zonë do të integrohet në qytet. Master plani do të përfshijë definimin e zonave ku lejohet ndërtimi i shtëpive për banim, i objekteve hoteliere dhe turistike, i komplekseve rekreative-sportive, definimi i zonave për blegtori, definimi i tokave punuese për pemishte, definimi i pyjeve që duhet të mbrohen etj.
Restaurimi i qytetit të vjetër – që lidh kompleksin e xhamive të vjetra me sheshin “Ibrahim Rugova”, duke mundësuar zhvillimin e artizanaleve. Kjo zonë përfshinë këto monumente: Xhamia e Çarshisë, Çeshma, Muzeu, Xhamia e Jashar Pashës, Sahat kulla, Shtëpia e ASHAK-ut, Xhamia e Mbretit, Hamami i Madh, Kompleksi Emin Gjiku dhe Shtëpia me teqe.
Bërja e Prishtinës me lum – studimi i ndërrimit të shtratit të Llapit, që ky lum të hyjë në Prishtinë, pastaj të hapet lumi Prishtina (mundësisht edhe Vellusha) dhe të krijohet një ambient tjetër më i mirë në qytet.