Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite që i bëri “Tregut të Gjelbër” në Ulpianë, ka shprehur zhgënjimin e tij me kushtet në të cilat punojnë tregtarët dhe është zotuar se infrastruktura e tregut do të përmirësohet si për shitësit, ashtu edhe për konsumatorët.
“Infrastruktura dhe mirëmbajtja e tregut do të përmirësohet dukshëm. Në kushte joadekuate higjienike dhe infrastrukturore rrezikohen edhe konsumatorët. Kjo praktikë do të ndërpritet, sepse plani jonë parasheh modernizimin e tregjeve të qytetit”, ka thënë Abrashi.
Pas vizitës në treg, Abrashi është takuar me banorët e Ulpianës, të cilëve ju ka prezantuar platformën e tij për zhvillimin e kryeqytetit.
Abrashi tha se ka në plan zgjerimin e ngrohjes qendrore nëpërmes kogjenerimit, i cili po shfrytëzohet në masë 55% dhe do të preket edhe “Ulpiana”.
Ai ka pohuar se do ta rregullojmë fontanën dhe gjelbërimin në këtë zonë, ndërsa ujitja do të bëhet me sistemin pikë-pikë, nëpërmes hapjes së puseve të reja.
“Do të bëjmë revitalizimin e strehimores së Ulpianës, për t’i shndërruar ato në hapësira të artistëve, dizajnerëve dhe të bendeve të Prishtinës. Do t’i mirëmbajmë këndet e lojërave në Ulpianë. Këto kënde të lojërave të investuara para 5-6 vitesh nuk janë mirëmbajtur për katër vitet e fundit”, ka shtuar Abrashi.
Ai ka potencuar se do t’i funksionalizojmë parkingjet në shërbim të banorëve të zonës. “Te shkolla ‘Hasan Prishtina’, do ta ndërtojmë një parking nëntokësor më pas, mbi të do ta ndërtojmë fushën e sportit dhe këndet tjera”, tha Abrashi.
Ai ka shtuar se disa banorë janë ankuar se kanë probleme me kanalizim dhe ne do ta zgjidhim këtë.