Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, e ka shpallur fitoren ndaj Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.
Abrashi, në balotazhin e djeshëm ndaj Ahmetit, doli humbës me 307 vota diferencë, por që KQZ, gjatë ditës së sotme, njoftoi se në dy vendvotime në këtë komunë ka ndodhur një gabim gjatë futjes së të dhënave të rezultateve preliminare, gabime të cilat e ngushtuan rezultatin mes dy kandidatëve në 237 vota.
Me gjithë këtë rezultat, Abrashi shprehet i bindur se rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve do ta bëjë atë kryetar të ri të Komunës.
Ky është statusi i plotë i Abrashit:
Të dashur qytetarë,
Po shohim që ata që bën koalicione të hapura e të fshehta me oligarkë e biznismenë/politikanë vetëm që me çdo kusht të mbesin në pushtet, tash zbulohet edhe se kanë përdorë metoda kundërligjore vetëm e vetëm që ata të jenë në pushtet.
Organizimi i transportit të qytetarëve përmes OJQ-ve për të votuar, ka synim ushtrimin e ndikimit mbi votën e tyre të lirë dhe deformon vullnetin e tyre popullor.
Do ta kërkojmë nga organet kompetente të hetojmë këtë rast deri në fund dhe pastaj do të vendosim sesi të veprojmë. Por ajo që po vërtetohet gjithnjë e më shumë është se Prishtina tashmë ka një kryetar të ri.
Ju faleminderit shumë.