Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të premten se problemet dhe nevojat me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës, janë lehtë të zgjidhshme, vetëm nevojitet vullnet politik të cilin e ofron LDK-ja dhe kandidatët e saj.
“Kam dalë nëpër lagjet dhe fshatrat e Prishtinës dhe i kam parë nevojat e tyre. Në bazë të nevojave të qytetarëve kemi krijuar projektin për Prishtinën. Lagjet e Prishtinës kanë edhe nevoja edhe probleme në jetën e tyre të përditshme. E mira e gjithë kësaj është se këto probleme janë evidente dhe lehtë të zgjidhshme, nëse ekziston vullnet, të cilin ne do ta ofrojmë”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se së bashku me ekipin kemi punuar në një program që është i kapshëm, i prekshëm dhe i realizueshëm për çdo qytetarë të Prishtinës.
“E para që do ta ndryshojmë është qasja ndaj vet Prishtinës. Ne mendojmë që nevojitet një qasje ndryshe zhvillimore. Ne kemi evidentuar se Prishtina ka shumë nevoja për investime të mëdha infrastrukturore, të cilat i kemi dizajnuar dhe planifikuar, ka nevoja të intervenimit në shumë sektorë, siç janë çështjet mjedisore, sektori i arsimit, shëndetësisë, sektori i kulturës etj.”, ka shtuar Abrashi.
Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se në sektorin e arsimit nevojitet ndërtimi i shtatë shkollave, në sektorin e shëndetësisë nevojitet që qendrat e mjekësisë familjare të punojnë me orare të zgjatura dhe të ndërtohen edhe disa qendra të tjera, ndërsa kemi evidentuar edhe qasje më konkrete për rininë, duke i ofruar edhe mundësi që të krijojmë biznese “Start Up”.
“Ne kemi realizuar një plan me një numër të madh të projekteve kapitale që prekin secilën lagje, duke filluar nga Unaza, Rruga A, vazhdimi i Rrugës B dhe Rruga C. Ne planifikojmë që t’i fusim të gjitha ujërat e zeza në kolektorë, duke filluar së pari me Matiqanin dhe Emshirin”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se e dimë çka do të bëjmë edhe në fshatrat Dabishevc, në Bardhosh, në Lebanë, në Besi, në Marec etj.
“Qasja jonë është se do të dalim të bisedojmë me qytetarë ku do të ofrojmë oferta konkrete se si do të zgjidhen problemet e tyre në secilën lagje dhe secilin fshat të Prishtinës”, ka përfunduar Abrashi.