Abrashi propozon masat që duhet të merren për ekonominë në kohë pandemie

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi ka thënë se beteja për shëndetin e njeriut duhet të jetë bashkë me betejën për ekonominë.

Abrashi ka thënë se në këtë situatë emergjentë shkaktuar nga pandemia, duhet të reagohet edhe në ekonominë e vendin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ai ka propozuar disa nga masat që duhet të marr shteti i Kosovës, duke marrë si shembull reagimet e shteteve në Evropë.

“Shpërndarjen për secilin qytetar të Kosovës, mbështetje të menjëhershme në vlerë 100 euro. Mbështetje e cila do të shpërndahej përmes komunave dhe evidencave nga ekstrakti familjar për disa familje, në çdo cep të Kosovës”, ka propozuar Abrashi, duke thënë se kjo mbështetje do të ndikojë në mirëqenien e familjeve në këto ditë të izolimit, do të ndikojë në ngritjen e ndjenjës së sigurisë, duke pas parasysh se tashmë po hyjmë në javë e tretë të luftës së pandemisë dhe se ndjenja e pasigurisë ekonomike po ndjehet tek secili qytetar i vendit.

Këto mjete, ai tha se mund të sigurohen nga rezerva shtetërore, BERZH, Banka Botërore apo edhe Trusti Pensional i Kosovës.

“170 milionë euro sa kishte me qenë kjo mbështetje mund të sigurohen nga rezervat e shtetit, nga BERZH, Banka Botërore ose mjetet e Trustit Pensional të Kosovës. Përzgjedhja e burimit të bëhet nga mundësia më e shpejtë e mundshme e qasjes në fonde dhe shpërndarjes së tyre emergjente”, shkruan Abrashi.

Gjithashtu, Abrashi ka edhe një propozim për qytetarët qëë punojnë në sektorin privat dhe bizneset në të cilat kanë ndikuar masat e marra nga Qeveria.

“Për qytetarët e punësuar në sektorin privat, e të cilët për shkak të masave u është pamundësuar aktiviteti ekonomik, tu paguhen pagat për muajin Prill, në vlerë të 50% të pagës mesatare në Kosovë. Bizneseve që janë atakuar me këto masa, tu paguhet qiraja për tre muajt e ardhshëm, e gjithë me qëllim që të ruajmë vendet e punës dhe vazhdimësinë e bizneseve pas kalimit të pandemisë”, shkruan ai.

Abrashi ka propozuar edhe kompenzim të veçantë për punëtorët shëndetësor, policët, zjarrëfikësit dhe punëtorët e shërbimeve komunale, duke bërë thirrje që të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, e kategori të tjera me një pagë ekstra.

“Qeveria të siguroj buxhetin për kompenzim të veçantë të punëtorëve shëndetësorë, Policisë së Kosovës, Zjarrfikësve, punëtorëve të shërbimeve komunale vitale. Të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore, furrëtarët dhe punëtorët e farmacive me nga një pagë ekstra në vlerë të pagës mesatare të Kosovës. Keta qytetarë i kemi në vijën e parë të frontit dhe nevojitet përkrahja direkte materiale e shtetit për ta”, shkruan Abrashi.

Një reagim i shprejt në financa direkte, sipas Abrashit është i domosdoshëm për sigurinë ekonomike të vendit.

“Reagimi i shpejtë me financa direkte është me së i domosdoshëm nëse duam të përçojmë mesazh të qartë të sigurisë ekonomike për secilin qytetar të vendit, si dhe të motivojmë dhe respektojmë ata qe sot i kemi në ballë në luftë me pandeminë. Çdo intervenim i mëvonshëm edhe me mjete më të mëdha, nuk do të ketë efektin e vet nëse nuk reagojmë sot, se nesër mund të jetë vonë”, thotë ai.

Abrashi ka propozuar gjithashtu që vendimi i qarkullimit të lirë të jetë nga ora 06:00 deri në ora 18:00.

“Gjithashtu ftojmë Qeverinë e Kosovës që të ndryshojmë vendimin për ndalim qarkullimin në fuqi. Po del që ky orar i aplikuar po sjellë koncentrim të lëvizjes së qytetarëve që nuk duhet të ndodhte. Propozoj që kufizimi i qarkullimit të jetë nga ora 06:00 deri më 18:00”, shkruan Abrashi. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme