Abrashi: Mësimdhënësve të Prishtinës do t’ua kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur

Prishtinë | 14 Nën 2017 | 18:50 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, në kuadër të fushatës elektorale për balotazh, mbajti një takim të martën e mësuesit e kryeqytetit, ku u shpreh se katër vitet e fundit pati një stagnim dhe degradim në fushën e arsimit.

“Ne do ta kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur për katër vite të mësimdhënësve të Prishtinës. Për katër vite u injoruan kuadrot e Prishtinës në arsim dhe u favorizuan militantët partiakë të komunave tjera. Edhe vet jeni dëshmitarë që gjatë këtyre katër viteve arsimi në komunën e Prishtinës, pati një stagnim dhe degradim duke pasur parasysh se më parë Prishtina ishte shembull në këtë fushë edhe për komunat e tjera. E jona është ta kthejmë këtë dinjitet dhe ta kthejmë shkollën e Prishtinës në një shembull”, ka thënë Abrashi.

“Do të bëjmë ndërtimin e infrastrukturës shkollore në të gjitha zonat e reja të qytetit, duke ndërtuar 7 shkolla të reja, dhe 9 çerdhe. Në objektin e vjetër të shkollës ‘Ali Sokoli’ do të hapet një shkollë fillore, do të ndërtojmë shkollën e muzikës, do të ndërtojmë anekse shkollore kudo ku ka mundësi për ndarjen e nivelit të arsimit fillor prej atij të mesëm. Do të bëjmë renovimin e objekteve ekzistuese dhe do t’i mirëmbajmë ato”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se të gjitha shkollat do të bëhen me sallë të edukatës fizike, do të pajisen plotësisht me pajisje që janë të nevojshme për zhvillim edhe edukim fizik të nxënësve, në kuadër të plan-programeve në shkolla.

“Për të ngritur cilësinë në arsim do të bëhet pajisja me laboratorë dhe me mjete konkrete për punë me nxënës, do të implementohet platforma e ditarit elektronik dhe shërbimeve tjera elektronike në sistemin arsimor, do të bëhet funksionalizimi i bibliotekave shkollore si dhe furnizimi me tituj të rinj. Brenda 4 deri 6 viteve, tabelat e zeza do të zëvendësohen me tabela digjitale. Të gjitha kompetencat që i janë marrë DKA-së, do t’i kthehen urgjentisht. Në kuadër të DKA-së, do të themelojmë qendrën këshilluese profesionale sipas fushave, që do të mirëpresin, këshillojnë, sugjerojnë, monitorojnë dhe trajnojnë stafin arsimor në shkollat e Prishtinës”, ka shtuar Abrashi.

Ai pohoi se plani i tij parasheh fuqizimin e nivelit të mesëm të vendimmarrjes në shkollë duke fuqizuar nivelet e aktiveve profesionale në vendimmarrje lidhur me çështjet profesionale.

“Në çdo shkollë me mbi 1000 nxënës do të punësojmë nga një pedagog dhe një psikolog. Në çdo shkollë me mbi 500 deri 1000 nxënës do të punësojmë nga një psikolog, kurse në shkollat me më pak se 500 deri 200 nxënës, do të punësojmë një psikolog në dy shkolla. Në të gjitha shkollat me më pak se 100 nxënës do të punësohet një psikolog. Do të sponsorizohet Dita e Shkollës, do të punojmë në projektin orientimi i fëmijëve në karrierë duke filluar që nga klasa e gjashtë”, potencoi kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Në fushën e arsimit profesional, Abrashi tha se do të rritet cilësia e aftësimit profesional dhe do të bëhet promovimi i shkollave profesionale, do të bëhet sistemi dual i mësimit për të rinjtë që t’ju mundësohet zhvillimi i praktikës profesionale në sektorin privat, do të bëhet harmonizimi i arsimit me kërkesat e tregut të punës, do të rritet bashkëpunimi me sektorin privat dhe do të zgjerohet autonomia e shkollave profesionale.

Të ngjashme