Lista Serbe është dorëzuar përballë Ushtrisë së Kosovës. Ajo nuk ka mundur ta përdorte “armën” e fundit që pretendonte se e kishte në dispozicion, për ta zvarritur procesin e avancimit të mandatit dhe misionit të Forcës së Sigurisë (FSK).
Presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar të premten të tria ligjet e miratuara këtë muaj në Kuvend, pasi paraprakisht është konsumuar koha prej tetë ditësh, brenda së cilës deputetët kanë mundur ta kontestonin kushtetutshmërinë e këtyre dokumenteve.
E pikërisht Lista Serbe, e cila ka kundërshtuar fort vendimmarrjen në Kuvend përkitazi me këto ligje, kishte paralajmëruar se ato do t’i çojë në Kushtetuese.
“Ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën Kushtetuese, por nga përvoja e kaluar asgjë nuk do të ndryshojë”, kishte paralajmëruar Igor Simiq, deputet i këtij subjekti politik që nuk ia njeh shtetësinë e Kosovës dhe as të drejtën për ta pasur ushtrinë e vet. “Ajo që u pa në Parlament me bashkimin që e kanë tek kjo temë, na thotë se me shpejtësi do ta kalojnë procedurën dhe ligjet e tyre”.
Të drejtën për t’i kontestuar ligjet ia njihte neni 113 i Kushtetutës, paragrafi i pestë i të cilit thekson se: “Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës brenda një afati prej tetë (8) ditësh, nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur”.
Lista Serbe ka saktësisht dhjetë deputetë në grupin parlamentar të saj, por midis tyre është një nga radhët e komunitetit goran. Është Adem Hoxha, që, sipas burimeve të gazetës, ka refuzuar ta vërë firmën për t’i kontestuar ligjet. Prandaj, Lista nuk ka pasur numrin minimal prej dhjetë ligjvënësish sa kërkon Kushtetuta për t’i kontestuar vendimet e miratuara nga Kuvendi.
Gazeta nuk ka mundur të vërë kontakt me të, meqë në numrat e telefonit që i figurojnë si kontakte në uebfaqen e Kuvendit, janë lajmëruar familjarë të tij. Është kontaktuar edhe asistenti i Hoxhës, por as ai nuk ka dhënë ndonjë informatë.
Menjëherë pasi është konsumuar koha kur dokumentet mund të bëheshin lëndë në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Hashim Thaçi i ka dekretuar Ligjin për FSK-në, atë për Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe Ligjin për shërbim në FSK.
Ndryshe nga dekretet e mëhershme, këtë e ka bërë para medieve dhe në prezencë të disa ushtarëve të FSK-së që i kishte ftuar në zyrë, por edhe të vetë komandantit Rrahman Rama.
“Si president i Republikës së Kosovës dhe komandant suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve, i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës”, ka thënë fare shkurt Thaçi, pas hedhjes së firmës në ligje. “I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”.
Në mes të këtij muaji kur janë miratuar ligjet në Kuvend, Ushtria e Kosovës është mbështetur nga fuqitë më të mëdha ushtarake të globit. Me t’u votuar, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë dhënë zotimin për ta mbështetur këtë forcë në transicionin që do të zgjasë rreth një dekadë. Të tria këto shtete janë hisedarët kryesore të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO. Aleanca, ndërkaq, ka shprehur disa rezerva, meqë qëndrimet zyrtare të saj varen nga të gjitha vendet anëtare, në mesin e të cilave ka edhe të tilla që nuk ia kanë njohur shtetësinë Kosovës.
Serbia, fqinji verior i Kosovës, ishte tërbuar nga vendimmarrja në Kuvend. Zyrtarët më të lartë politikë e ushtarakë të këtij shteti që është përgjegjës për krimet e kryera gjatë viteve ’90 në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci, po atë ditë ishin ndodhur afër kufirit me Kosovën, nga ku ishin dhënë deklarime armiqësore kundër ushtrisë më të re të botës. Një nga kërcënimet e lansuara ishte se secili pjesëtar i saj do të arrestohet e dënohet.
Një Analizë e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë parashihte nevojën që Kosova ta kishte sektorin e vet të mbrojtjes. Në mars të 2014-s, Qeveria që drejtohej atëkohë nga presidenti i tashëm, Hashim Thaçi, pati sponsorizuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese për ta transformuar FSK-në në Forca të Armatosura (FAK). Amendamentet morën edhe dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese. Por nuk u hodhën në votim, shkaku që deputetët serbë kushtëzonin votimin e amendamenteve. Kërkonin që bashkë me ndryshimet kushtetuese për llogari të FAK-ut të votohej një amendament, sipas të cilit komunitetet përfitonin edhe për një mandat vende të rezervuara në Kuvend, e që nënkuptonte që, përpos ulëseve të garantuara, siguronin ulëse shtesë konform përqindjes së votave që e mbërrijnë në zgjedhje.
Në zgjedhjet që pasuan votën e serbëve e mori Lista Serbe, një subjekt i ri politik, që ishte sponsorizuar nga Beogradi zyrtar. Kjo parti me asnjë kusht nuk ka pranuar të mbështesë ndryshime kushtetuese që do ta bënin vendin me ushtri. Pas kësaj barriere autoritetet ndërkombëtare kanë dhënë dritën jeshile që avancimi i misionit dhe mandatit të FSK-së të bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimeve ligjore.